Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 36:6-15

Ezekieli 36:6-15 AL1

Prandaj profetizo për tokën e Izraelit dhe thuaju maleve e kodrave, shpateve e luginave, se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja, unë fola i shtyrë nga smira e nga zemërimi, meqë ju duruat talljen e kombeve. Prandaj kështu thotë Zoti im, ZOTI: betohem se kombet që ju rrethojnë do t'i durojnë vetë talljet e tyre. E ju, o malet e Izraelit, nxirrni filiza e jepni fryte për popullin tim Izraelin, se do të kthehen së shpejti. Se, ja, jam me ju, kah ju jam kthyer e ju do të prashiteni e do të mbilleni. Unë do t'i shumoj njerëzit përmbi ju, mbarë shtëpinë e Izraelit, të tërën. Qytetet do të kenë banorë e rrënojat do të ndreqen. Do t'i shumoj njerëzit e kafshët mbi ju dhe ata do të shumohen e do të shtohen. Do t'ju mbush me banorë si dikur e do t'ju mbush me të mira më shumë se në fillim. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam ZOTI. Do të sjell mbi ju njerëz, popullin tim Izraelin. Ata do t'ju kenë për pronë, ju do të jeni trashëgimia e tyre e nuk do t'i lini më pa fëmijë. Kështu thotë Zoti im, ZOTI: meqë ju thonë: “Ju gëlltitni njerëz dhe e lini kombin pa fëmijë”, për këtë ju nuk do të gëlltitni më njerëz e nuk do ta lini kombin tuaj pa fëmijë, kumton Zoti im, ZOTI. Unë nuk do të lejoj më të dëgjosh talljet e kombeve e ti nuk do të durosh fatkeqësinë e popujve. Nuk do ta lësh më kombin pa fëmijë, kumton Zoti im, ZOTI».