Ti, bir i njeriut, profetizo për malet e Izraelit e thuaj: «O malet e Izraelit, dëgjojeni zërin e ZOTIT. Kështu thotë Zoti im, ZOTI: meqë armiku tha për ju: “Aha, lartësitë e lashta janë bërë prona jonë”, për këtë profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti im, ZOTI: pikërisht, ngaqë ju shkretuan e ju shtypën nga të gjitha anët, saqë u bëtë pronë e kombeve të tjera dhe ratë në gojën e në gjuhën e njerëzve përfolës, prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, ZOTIT. Kështu u thotë Zoti im, ZOTI, maleve e kodrave, shpateve e luginave, shkretëtirave të përcëlluara dhe qyteteve të braktisura, që janë bërë pre e tallje për kombet e tjera që i rrethojnë, prandaj kështu thotë Zoti im, ZOTI: patjetër që fola me smirë të zjarrtë kundër kombeve të tjera e kundër mbarë Edomit, që e morën tokën time si pronë për vete, duke u ngazëlluar me gjithë zemër dhe duke e përçmuar me shpirt, për ta zbrazur e për ta plaçkitur. Prandaj profetizo për tokën e Izraelit dhe thuaju maleve e kodrave, shpateve e luginave, se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja, unë fola i shtyrë nga smira e nga zemërimi, meqë ju duruat talljen e kombeve. Prandaj kështu thotë Zoti im, ZOTI: betohem se kombet që ju rrethojnë do t'i durojnë vetë talljet e tyre.