Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 34:11-24

Ezekieli 34:11-24 AL1

Se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja, unë vetë do t'i kërkoj delet e mia e do t'i këqyr. Siç e këqyr bariu grigjën e vet, kur është mes deleve të shpërndara, kështu do t'i këqyr unë delet e mia dhe do t'i shpëtoj nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në ditë me re e me terr. Do t'i nxjerr prej popujve dhe do t'i sjell nga vendet e tjera drejt tokës së tyre. Do t'i kullot nëpër malet e Izraelit, nëpër shpate dhe në të gjitha vendbanimet e vendit. Në kullota të mira do t'i kullot. Mbi malet e lartësive të Izraelit do ta kenë livadhin. Atje do të shtrihen mbi livadhe të mira e në kullota të majme do të hanë, në malet e Izraelit. Unë do ta kullot grigjën time, unë vetë do ta mërzej, kumton Zoti im, ZOTI. Do të kërkoj të humburën dhe do të kthej të ndarën. Do t'i lidh plagën të lënduarës dhe të sëmurën do ta forcoj. Do të kujdesem për të majmen dhe për të mëkëmburën. Do t'i kullot me drejtësi. Për ty, grigja ime, kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja, unë gjykoj mes deles e deles, mes deshve e cjepve. A ju duket pak që kullotni në kullotën e mirë, që shkelni kullotat që ju teprojnë? Ju hyni me këmbë për të pirë ujin e kulluar dhe çfarë tepron e turbulloni me këmbë. Grigja ime duhet të kullotë ç'keni shkelur me këmbë dhe të pijë ç'keni turbulluar me këmbë. Prandaj kështu u thotë Zoti im, ZOTI: ja unë vetë do të gjykoj mes deles së majme e deles së hajthme. Meqë shtytë me bri e me sup dhe i gjuajtët me brirë tërë të dobëtat, derisa i shpërndatë përjashta, unë do t'i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të jenë më pre. Do të gjykoj mes deles e deles. Do të caktoj mbi to një bari të vetëm. Do t'i kullotë shërbëtori im, Davidi. Ai do t'i kullotë e do të jetë bariu i tyre. Dhe unë, ZOTI, do të jem Perëndia i tyre, ndërsa shërbëtori im, Davidi, do të jetë princ mes tyre. Unë, ZOTI, fola.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë