Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 27

27
Vajtim për Tirin
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Ti, bir i njeriut, nise vajtimin për Tirin 3e thuaji Tirit, që gjendet ndanë detit, që shkëmben me popujt e ishujve të shumtë, se kështu thotë Zoti im, Zoti:
ti thoshe, o Tir:
“Bukuria ime është e përkryer”.
4Në mes të detit janë kufijtë e tu,
ndërtuesit e tu ta përsosën bukurinë.
5Brinjët t'i ndërtuan të gjitha me qarr Seniri,
morën cedër Libani për të të bërë direkun.
6Me lisa Bashani t'i bënë rremat,
kuvertën ta bënë me fildish
ndërthurur me qiparis Kitimi.
7Endur me li larushor Egjipti
ishte mbuloja jote,
që ta përdorje si emblemë.
Blu me purpur nga ishujt e Elishahut
ishte bashi yt.
8Banorët e Sidonit dhe të Arvadit
ishin rremtarët e tu,
mjeshtrat e tu, o Tir,
ishin lundërtarët e tu.
9Pleqtë e Gebalit e mjeshtrat e tij gjendeshin te ti
për të ndrequr plasaritjet.
Të gjitha anijet e detit bashkë me detarët ndaleshin te ti
për të shkëmbyer mallra me ty.
10Persia, Ludi e Puti ishin luftëtarë në ushtrinë tënde. Të vinin shqytin e përkrenaren e të jepnin hijeshi. 11Bijtë e Arvadit dhe ushtria e tyre ishin rreth mureve të tua. Gamaditët gjendeshin te kullat e tua. I varnin shqytet rreth mureve të tua. E përsosnin bukurinë tënde.
12Tarshishi shkëmbente me ty tërë begatinë e pasurisë sate: argjend, hekur, kallaj e plumb këmbenin me mallrat e tua. 13Javani, Tubali e Mesheku shkëmbenin me ty. Njerëz dhe enë bronzi këmbenin me mallrat e tua. 14Nga Bet Togarmahu këmbenin kuaj, kalorës e mushka me mallrat e tua. 15Bijtë e Dedanit shkëmbenin me ty. Kishe në dorë mallin e shumë ishujve. Të sillnin si shpërblim brirë të fildishtë dhe eban. 16Arami shkëmbente me ty falë begatisë së prodhimeve të tua dhe i këmbente mallrat e tua me granat, purpur, qëndisma, li, korale e rubin. 17Juda dhe toka e Izraelit shkëmbente me ty. I këmbenin mallrat e tua me drithë Miniti, me ëmbëlsira, me mjaltë, me vaj e balsam. 18Damasku shkëmbente me ty, me begatinë e prodhimeve të tua, me begatinë e tërë mirëqenies sate, me verën e Helbonit dhe leshin e Caharit. 19Vedani e Javani nga Uzali shkëmbenin mallrat e tua: hekur i farkëtuar, kanellë e kallam ishin mallrat e tua. 20Dedani këmbente me ty beze për shalë kali. 21Arabia dhe të gjithë princat e Kedarit shkëmbenin me ty. Me qengja, desh e cjep bënin trambë. 22Tregtarët e Shebës e të Ramahut shkëmbenin me ty. I shkëmbenin mallrat e tua me tërë erëzat më të mira, me tërë gurët e çmuar dhe me ar. 23Harani, Kanehu dhe Edeni, tregtarët e Shebës, të Ashurit e Kilmadit shkëmbenin me ty. 24Ata shkëmbenin me ty, në tregjet e tua, petkat e hijshme, coha të purpurta e qëndisma, tapete larushore, litarë të dredhur e të fortë. 25Anijet e Tarshishit udhëtonin për ty me mallrat e tua dhe ti ishe e ngopur dhe fort e rënduar në zemrën e detit.
26Në det të hapur të çuan rremtarët,
por në zemrën e detit të theu era e lindjes.
27Pasuria jote, mallrat e tua dhe kamja jote,
detarët dhe drejtuesit e tu,
ndreqësit e plasaritjeve të tua,
këmbyesit e mallrave të tua,
tërë luftëtarët që janë në ty
dhe tërë turma që është në mesin tënd,
do të bien në zemrën e detit
në ditën e rrëzimit tënd.
28Nga tingulli i britmës së drejtuesve të tu
do të tranden lëndinat.
29Do të zbresin rremtarët nga anijet,
detarët dhe të gjithë drejtuesit
në tokë do të mbesin.
30Do të bërtasin me zë për ty,
do ta lartësojnë britmën e tyre të hidhur.
Do të hedhin pluhur mbi kokë
e në pluhur do të rrokullisen.
31Për shkakun tënd do ta rruajnë kokën
e do të vishen me grathore.
Do të vajtojnë për ty me shpirt të hidhëruar,
me gjëmë të hidhur.
32Me gjëmë do të ngrenë mbi ty vajtimin
e do të vajtojnë mbi ty:
kush ishte si Tiri,
rrënuar në mes të detit?
33Kur vinin mallrat e tua nga detet,
kënaqje shumë popuj.
Me begatinë e pasurive e me mallrat e tua
i pasuroje mbretërit e tokës.
34Tani je thyer prej detit
në thellësitë e ujit.
Mallrat e tua u fundosën
tok me detarët e tu.
35Tërë banorët e ishujve
janë të tmerruar prej teje.
Mbretërit e tyre dridhen e përdridhen,
fytyrat u janë zbehur.
36Tregtarët e popujve fërshëllejnë për ty,
u bëre i frikshëm.
Kurrë më nuk do të jesh».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 27: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr