Ezekieli 25
25
Kundër bijve të Amonit
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, drejtohu drejt bijve të Amonit dhe profetizo kundër tyre. 3Thuaju bijve të Amonit: dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë ti the “sa mirë!”, për shenjtëroren time që u përdhos, për dheun e Izraelit kur u shkretua dhe për shtëpinë e Judës kur u shpërngul, 4për këtë, ja, po të dorëzoj në pronësi te njerëzit e lindjes. Ata do të vendosin te ti fushimet e veta dhe do të vënë banesat te ti. Frytet e tua do t'i hanë ata dhe qumështin tënd do ta pinë ata. 5Rabahun do ta bëj kullotë për devetë dhe qytetet e Amonit vathë delesh. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 6Se kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë trokite duart, përplase këmbët dhe u gëzove me shpirt me tërë qesëndinë tënde për dheun e Izraelit, 7për këtë, ja, unë e zgjata dorën kundër teje e do të të dorëzoj te kombet si plaçkë. Do të të zhduk nga popujt e do të të shfaros nga vendet. Do të të shkatërroj e do ta marrësh vesh se unë jam Zoti».
Kundër Moabit
8Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë Moabi e Seiri thanë: “Ja, shtëpia e Judës është si të gjitha kombet”, 9për këtë, ja, do t'ia çaj shpatullën Moabit, do ta lë brenda kufijve të tij pa qytete, pa qytetet që janë stolia e dheut: Bet Jeshimoti, Baal Meoni e Kirjataimi. 10Do t'ua jap në pronë bijve të lindjes, siç u dhashë amonitët, që amonitët të mos kujtoheshin më ndër kombe. 11Do ta kryej gjykimin në Moab e ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti».
Kundër Edomit
12Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë Edomi u hakmor vetë ndaj shtëpisë së Judës dhe u ngarkua me faj të madh, duke u hakmarrë kundër tyre, 13për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: do ta shtrij dorën kundër Edomit, do të shfaros njerëz e kafshë dhe do ta kthej në shkretëtirë. Nga Temani deri në Dedan do të bien prej shpatës. 14Do të kryej hakmarrjen time kundër Edomit me anë të popullit tim, Izraelit, që do të veprojë me Edomin sipas zemërimit tim e sipas hidhërimit tim. Atëherë do ta njohin hakmarrjen time, kumton Zoti im, Zoti».
Kundër filistinëve
15Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë filistinët vepruan me hakmarrje dhe morën hak me përçmim në shpirt, për të shkatërruar me armiqësi të përhershme, 16për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e shtrij dorën kundër filistinëve. Do t'i shfaros keretitët dhe do ta rrënoj pjesën tjetër të bregdetit. 17Do të kryej hakmarrjen e madhe kundër tyre me ndëshkime të furishme dhe ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti pasi ta kem zbrazur kundër tyre zemërimin tim».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ezekieli 25: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020