Ezekieli 23
23
Jerusalemi dhe Samaria
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, na ishin dy gra, bija të së njëjtës nënë. 3Ato ishin lavire në Egjipt. Që në rini kurvëruan atje. Atje ua fërkuan gjinjtë e ua shtrydhën thithkat e vashërisë. 4E madhja quhej Ohola dhe motra e saj e vogël quhej Oholiba. I pata të miat dhe lindën bij e bija. Emrat e tyre janë: Samaria për Oholanë dhe Jerusalemi për Oholibanë. 5Oholaja kurvëroi kur e pata unë dhe u dha me epsh pas dashnorëve në Asiri. Ata ishin luftëtarë 6të veshur me purpur, qeveritarë e zyrtarë, të gjithë të rinj joshës, kalorës kaluar mbi kuaj. 7Ajo u dha tek ata, te të gjithë bijtë e zgjedhur të Asirisë, dhe u përlye me të gjithë idhujt që i ngjallën epsh. 8Nuk hoqi dorë nga kurvëria, që kishte nisur në Egjipt, se e kishin shtrirë që në rini, ia kishin shtrydhur thithkat e vashërisë dhe kishin zbrazur mbi të kurvërinë e tyre. 9Prandaj e lashë në dorë të dashnorëve të vet, në dorë të asirianëve, pas të cilëve u harbua. 10Ata e zhveshën lakuriq, ia morën bijtë e bijat dhe ia vranë me shpatë. Kështu e ndëshkuan dhe ajo u bë shembull për gratë.
11Motra e vet, Oholibaja, e pa dhe u shthur me epsh më të madh. Kurvëroi më shumë se ç'kishte kurvëruar e motra. 12U dha me epsh pas asirianëve, qeveritarëve, zyrtarëve, ushtarëve të veshur e të ngjeshur, kalorësve kaluar mbi kuaj, të gjithë të rinj joshës. 13E pashë se ishte përlyer dhe të dyja silleshin njësoj. 14Ajo i shumëzoi kurvëritë. Shikoi burrat e gdhendur në mur, shëmbëllimet e kaldenjve, vizatuar me të kuqe, 15me brez në ijë, me kësula të gjera në kokë, të cilët dukeshin të gjithë si luftëtarë, të ngjashëm me babilonasit, me prejardhje nga dheu i Kaldesë. 16Kur i pa me sy, e zuri epshi për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde. 17Kaldenjtë u futën tek ajo në shtratin e dashurisë, e ndotën me kurvërinë e tyre dhe ajo u ndot me ta gjersa iu neverit. 18Pasi e shfaqi kurvërinë e vet dhe e zbuloi lakuriqësinë, edhe unë u neverita prej saj, siç isha neveritur prej së motrës. 19Por ajo i shumëzoi kurvëritë, në kujtim të ditëve të rinisë së saj, kur kurvëronte në dheun e Egjiptit. 20E zuri epshi për dashnorët që e kishin si të gomarëve e derdheshin si hamshorët.
21Ti e dëshirove shthurjen e rinisë sate, kur në Egjipt të preknin thithkat, gjinjtë e tu vashëror. 22Prandaj, Oholiba, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po i ngre kundër teje dashnorët e tu, të cilët t'u neveritën. Do t'i sjell kundër teje prej gjithandej: 23babilonasit dhe të gjithë kaldenjtë, Pekodin, Shoanë, Koanë dhe të gjithë asirianët me ta. Ata janë të rinj tërheqës, qeveritarë, zyrtarë, të gjithë luftëtarë e të gjithë kalorës në zë. 24Do të vijnë kundër teje nga veriu me karroca, me koçi e me turma popujsh. Do të rreshtohen kundër teje nga çdo anë me shqyt, me parzmore e me përkrenare. Atyre ua kam lënë gjykimin dhe do të të gjykojnë sipas gjykimit të tyre. 25Do ta hedh kundër teje smirën time dhe ata do të sillen egërsisht me ty. Do të të presin hundën dhe veshët, ndërsa të mbijetuarit do të bien prej shpatës. Do t'i shpërngulin bijtë e bijat e tu dhe ata që do të mbesin do t'i përpijë zjarri. 26Do të t'i zhveshin petkat e do të t'i heqin stolitë. 27Do t'i jap fund shthurjes sate e kurvërisë sate në Egjipt. Nuk do ta ngresh më shikimin drejt tyre e nuk do të të bjerë më ndër mend Egjipti. 28Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po të lë në dorë të atyre që të urrejnë, në dorë të atyre që ta neveritin shpirtin. 29Do të veprojnë me urrejtje ndaj teje e do të ta rrëmbejnë tërë fitimin. Do të të lënë lakuriq e zbuluar, do të dalë në pah lakuriqësia e kurvërisë sate, shthurja e lavirësisë sate. 30Kështu do të veprojnë me ty, sepse më tradhtove me kombet, se u ndote me idhujt e tyre. 31Ti shkove udhës së motrës sate, prandaj do të ta dorëzoj ty kupën e saj. 32Kështu thotë Zoti im, Zoti:
33do të ngopesh me dehje e me pikëllim.
Kupë tmerri e shkretimi
ishte kupa e motrës sate, Samarisë.
34Ti do ta pish e do ta shterësh,
do t'ia bluash grimcat,
do t'ia çjerrësh gjinjtë,
sepse unë fola,
kumton Zoti im, Zoti.
35Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë më harrove mua e më hodhe pas shpine, do të marrësh përsipër shthurjen dhe kurvërinë tënde».
36 Zoti më tha: «Bir i njeriut, a do ta gjykosh ti Oholanë dhe Oholibanë? A do t'ua tregosh pështirësinë e tyre? 37Ato bënë kurorëshkelje dhe duart i kanë me gjak. Bënë kurorëshkelje me idhujt e tyre dhe u flijuan për ushqim bijtë e vet që m'i kishin lindur mua. 38Më bënë edhe këtë: e ndotën shenjtëroren time atë ditë dhe i përdhosën të shtunat e mia. 39Pasi i therën bijtë e vet për idhujt, erdhën në shenjtëroren time po atë ditë, për ta përdhosur. Ja, kështu vepruan në mes të shtëpisë sime. 40Për më tepër, thirrën të vinin nga larg edhe disa burra, të cilëve u dërguan një lajmëtar, dhe, ja, ata erdhën. Për ata u lave, leve sytë e vure stoli. 41U ule në një shtrojë madhështore, para një tryeze të shtruar, mbi të cilën vure temjanin e vajin tim. 42Tek ajo dëgjohej zëri i një turme të qetë. Këtyre burrave iu bashkuan shumë njerëz, pijanecë sabaitë nga shkretëtira, që kishin vënë rrathë në duar e kurora të hijshme në kokë.
43Atëherë, për atë që ishte lodhur me kurvëri, thashë: me kurvërinë e saj do të kurvërojnë ata dhe ajo vetë. 44Hynë tek ajo siç hyhet te gruaja lavire. Ashtu hynë te Oholaja e te Oholibaja, gra të përdala. 45Por burrat e drejtë do t'i gjykojnë ato me gjykimin e kurorëshkelseve dhe me gjykimin e gjakderdhëseve, se ato e shkelën kurorën dhe duart i kanë me gjak».
46Se kështu thotë Zoti im, Zoti: «Lësho turmën kundër tyre, për t'i tmerruar e për t'i plaçkitur. 47Le t'i vrasin me gurë e t'i therin me shpata. Le t'ua vrasin bijtë e bijat dhe t'ua djegin shtëpitë me zjarr. 48Do ta fshij nga dheu shthurjen, që ta marrin vesh të gjitha gratë e të mos veprojnë sipas shthurjes suaj. 49Do ta hedhin kundër jush shthurjen tuaj e ju do të mbartni mëkatin e idhujtarisë suaj. Kështu do ta merrni vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ezekieli 23: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020