Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 11:14-25

Ezekieli 11:14-25 AL1

Atëherë m'u drejtua fjala e ZOTIT e më tha: «Bir i njeriut, banorët e Jerusalemit u thonë vëllezërve të tu, fisit tënd, të shpërngulurve të tu e mbarë shtëpisë së Izraelit: “Largohuni prej ZOTIT. Kjo tokë na është dhënë në pronësi neve”. Por ti thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ndonëse i kam larguar ndër kombe, ndonëse i kam shpërndarë nëpër vende, unë kam qenë për ta shenjtërore për pak kohë, në vendet ku kanë shkuar. Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: do t'ju mbledh prej popujve, prej vendeve ku jeni shpërndarë, e do t'ju jap tokën e Izraelit. Ata do të hyjnë e do t'i zhdukin prej tij të gjithë idhujt dhe pështirësitë. Atëherë unë do t'u jap një zemër të re e një shpirt të ri do të fus brenda tyre. Do t'ua heq nga mishi zemrën prej guri e do t'u jap një zemër mishi, që të ecin sipas rregullave të mia, të mbajnë vendimet e mia e t'i zbatojnë. Atëherë ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. Por ata që shkojnë me gjithë zemër pas fëlliqësive dhe pështirësive të tyre, do ta paguajnë me kokë sjelljen e vet, kumton Zoti im, ZOTI». Atëherë kerubët ngritën krahët e rrotat që ishin pranë tyre, ndërsa lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta, sipër tyre. Pastaj lavdia e ZOTIT u ngrit nga mesi i qytetit e u ndal mbi malin në lindje të qytetit. Dhe një shpirt më ngriti e më çoi në Kalde te të shpërngulurit, në një vegim me anë të Shpirtit të Perëndisë, pasi m'u largua vegimi që kisha parë. Unë ua tregova të shpërngulurve të gjitha gjërat që ZOTI më kishte shfaqur.