Dalja 39
39
Rrobat e priftërinjve
1Rrobat për të shërbyer në shenjtërore u endën me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Rrobat e shenjta të Aronit u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 2Efodi u bë me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 3Pllakat e arit i farkëtuan hollë dhe i prenë në shirita që t'i thurnin me mjeshtëri me pëlhurën e lirit dhe me fijet ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 4Pastaj bënë dy suporet dhe i lidhën në të dyja anët e efodit. 5Rripi mbi efod u punua nga e njëjta copë dhe me të njëjtat materiale si efodi. Ai u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
6Pastaj punuan gurët e oniksit. I përshkuan me filigran të artë dhe i gdhendën me emrat e bijve të Izraelit. 7I vendosën mbi suporet e efodit, siç Zoti e urdhëroi Moisiun, që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit.
8Pastaj qëndisi parzmoren me mjeshtëri siç qëndisi dhe efodin. Ajo u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 9Parzmoren e palosën më dysh dhe e bënë katrore, një pëllëmbë të gjatë e një pëllëmbë të gjerë. 10Në të vunë katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vunë rubin, topaz dhe smerald. 11Në radhën e dytë vunë granat, safir dhe diamant. 12Në radhën e tretë vunë hiacint, kalcedon dhe ametist. 13Në radhën e katërt vunë topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar u përshkuan me filigran të artë. 14Gjithsej ishin dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi u gdhend mbi çdo gurë. 15Parzmores i bënë varëse të gërshetuara prej ari të pastër. 16Pastaj bënë dy filigranë e dy rrathë të artë. Rrathët i vunë në të dyja anët e parzmores 17dhe në to mbërthyen të dyja varëset e arta. 18Dy anët e tjera të varëseve i mbërthyen te dy filigranët dhe i lidhën me suporet e efodit me krah përpara. 19Bënë dy rrathë të artë dhe i vendosën në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. 20Bënë edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe i vendosën përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. 21Pastaj i lidhën rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë që parzmorja të ishte sipër rripit dhe të mos lëvizte prej efodit. Ato u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
22Petku poshtë efodit u end i tëri me pëlhurë ngjyrë vjollcë. 23Në mes të saj u hap një grykë porsi jakë. Ajo u qep përreth me një buzë që të mos grisej. 24Në fund të petkut punuan shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur e të dredhur. 25Pastaj bënë këmbanëza me ar të pastër dhe i varën rreth e qark fundit të petkut, ndërmjet shegëve. 26Ato u varën me radhë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun, një këmbanëz e një shegë rreth e qark fundit të petkut që përdorej për shërbesë.
27Pastaj punuan për Aronin e bijtë e tij tunikat prej liri, 28kësulën dhe kësulëzat prej liri, mbathjet e linjta të tjerrë hollë 29dhe brezin prej liri të tjerrë hollë që u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Ato u bënë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
30Pastaj bënë pllakëzën e kurorës së shenjtë me ar të pastër dhe në të gdhendën: «I shenjti i Zotit». 31E lidhën mbi kësulë me një shirit ngjyrë vjollcë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
Përfundimi i tendës
32Kështu, u përfunduan tërë punët e tendës, tendës së takimit. Izraelitët bënë gjithçka ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 33Atëherë ia paraqitën tendën Moisiut: tendën me tërë pajisjet përkatëse, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat, bazat; 34mbulesën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, mbulesën me lëkurë të çmuar e velin që ndan; 35arkën e dëshmisë bashkë me shufrat e pajtimoren; 36tryezën bashkë me tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; 37shandanin prej ari të pastër bashkë me llambat e renditura, enët përkatëse e vajin për ndriçim; 38altarin prej ari bashkë me vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; 39altarin prej bronzi bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; 40pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat, perden e hyrjes, litarët, kunjat e tërë pajisjet për ndërtimin e tendës, tendës së takimit; 41dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj.
42Izraelitët i bënë tërë punimet ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 43Moisiu i kontrolloi tërë punimet dhe, ja, pa që ishin bërë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti dhe Moisiu i bekoi.
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 39: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020