Dalja 34
34
Rrasat e dyta të ligjit
1 Zoti i tha Moisiut: «Lato dy rrasa guri si të parat, që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat që theve. 2Bëhu gati në të gdhirë dhe ngjitu në malin e Sinait. Qëndro para meje në majë të malit. 3Askush të mos ngjitet me ty. Këmbë njeriu të mos duket në mal dhe asnjë bagëti e imët apo e trashë të mos kullotë kundruall malit». 4Kështu, Moisiu latoi dy rrasa guri si të parat dhe u ngjit në malin e Sinait herët në mëngjes, siç e kishte urdhëruar Zoti.
5Atëherë Zoti zbriti në re, qëndroi me Moisiun dhe shpalli emrin e vet. 6Zoti i kaloi përballë dhe shpalli:
«Zoti, Zoti,
Perëndi i dhimbshëm e i mëshirshëm,
i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri.
7E ruan mirësinë për mijëra brezni,
fal paudhësinë, shkeljen dhe mëkatin,
por nuk lë gjë pa dënuar.
Paudhësinë e etërve e ndëshkon,
deri te fëmijët e nipat,
deri te breznia e tretë dhe e katërt».
8Atëherë Moisiu u përkul përtokë me të shpejtë, e adhuroi 9e tha: «Zot, nëse kam gjetur hir para teje, të lutem nisu bashkë me ne. Edhe pse ky popull është kokëfortë, na i fal paudhësitë e mëkatet dhe na bëj të tutë».
Përtëritja e besëlidhjes
10Zoti i tha: «Ja, unë po bëj një besëlidhje. Do të bëj para tërë popullit mrekulli që nuk janë bërë mbi mbarë tokën dhe në asnjë popull. Tërë populli mes të cilit banon do të shohë veprën e Zotit, sepse ajo që do të bëj me ty do të jetë e mrekullueshme.
11Mbaj çfarë po të urdhëroj sot. Ja, unë po i dëboj para teje amoritët, kananitët, hititët, perizitët, hivitët dhe jebusitët. 12Prandaj ruaj se bën ndonjë besëlidhje me banorët e tokës ku po hyn, sepse do të zihesh në kurth. 13Përkundrazi, rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta dhe zhbiji shtyllat e Asherave të tyre, 14sepse nuk ke për të adhuruar asnjë perëndi tjetër ngaqë emri i Zotit është “xheloz” dhe ai është një Perëndi xheloz. 15Mos lidh besëlidhje me banorët e tokës, sepse kur të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe kur t'u flijojnë fli perëndive të tyre, do të të ftojnë dhe kështu do të hash edhe ti prej flive të tyre. 16Po ua more bijat si gra për bijtë e tu, ato do të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe do të bëjnë që edhe bijtë e tu të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre.
17Mos bëj për vete perëndi të metaltë.
18Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit të Abibit, sepse pikërisht në atë muaj dole nga Egjipti. 19Çdo fryt i parë i barkut më përket mua, çdo mashkull i parë i bagëtive, si i qeve, ashtu edhe i deleve. 20Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Tërë të paralindurit e bijve të tu do t'i shpaguash. Askush të mos dalë para meje duarbosh.
21Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh. Do të pushosh edhe gjatë të mbjellave e të korrave. 22Kremto festën e Javëve me prodhimet e para të korrjes së grurit dhe festën e të Vjelave në fund të çdo viti. 23Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para Zotit Perëndi, Perëndisë së Izraelit. 24Kur t'i zboj kombet para teje dhe t'i zgjeroj kufijtë e tu, askush nuk do ta sulmojë tokën gjatë kohës që paraqitesh tri herë në vit para Zotit, Perëndisë tënd.
25Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj flinë e të kremtes së Pashkës për të nesërmen. 26Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t'i sjellësh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës».
27 Zoti i tha Moisiut: «Shkruaji këto fjalë, sepse mbi këto fjalë e kam lidhur besëlidhjen me ty dhe me Izraelin». 28Moisiu qëndroi me Zotin për dyzet ditë e net, pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. Ai i shkroi fjalët e besëlidhjes në rrasa. Janë dhjetë urdhërimet.
Moisiu zbret nga mali
29Pastaj Moisiu zbriti nga mali i Sinait duke mbajtur ne dorë dy rrasat e dëshmisë. Por ai nuk e dinte që i ndrinte fytyra ngaqë kishte folur me Zotin. 30Kur Aroni dhe izraelitët panë sesi i ndrinte fytyra Moisiut, patën frikë t'i afroheshin. 31Por Moisiu i thirri. Atëherë Aroni me tërë krerët e bashkësisë u kthyen dhe ai foli me ta. 32Pas kësaj u afruan tërë izraelitët dhe Moisiu u urdhëroi gjithçka që Zoti i kishte thënë në malin e Sinait. 33Si mbaroi së foluri me ta, Moisiu mbuloi fytyrën me vel. 34Kështu, sa herë që shkonte para Zotit për të folur, Moisiu e hiqte velin derisa largohej. Pastaj, kur dilte dhe u tregonte izraelitëve urdhërimet e Zotit, 35izraelitët e shikonin sesi i ndrinte fytyra. Atëherë Moisiu e vinte sërish velin dhe e mbante derisa shkonte për të folur përsëri me Zotin.
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 34: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020