Kur populli pa se Moisiu po vonohej të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aronit e i tha: «Ngrihu e na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë ç'u bë me të!». Aroni iu përgjigj: «Hiquani vathët e artë grave, bijve dhe bijave dhe m'i sillni mua». Atëherë tërë populli hoqi vathët e artë dhe ia solli Aronit. Ky ua mori dhe i punoi me daltë. Bëri një viç të metaltë e u tha: «Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit». Aroni e pa, i ndërtoi një altar dhe thirri: «Nesër do të kremtojmë për nder të ZOTIT». Të nesërmen, u ngritën herët dhe kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për t'u dëfryer.
Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Zbrit poshtë, se populli yt, që e nxore nga dheu i Egjiptit, u shthur. Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”». ZOTI vijoi: «E kam parë që ky është një popull kokëfortë. Tani më lër! Do të ndizem me zemërim e do t'i shuaj. Ty do të të bëj një komb të madh».
Por Moisiu ia zbuti zemërimin ZOTIT, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o ZOT, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme? Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”». Atëherë ZOTI hoqi dorë nga e keqja që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij.
Pastaj Moisiu u kthye e zbriti nga mali dhe mbante në dorë dy rrasat e dëshmisë të shkruara nga të dyja anët. Rrasat ishin vepër e Perëndisë. Edhe shkrimi i gdhendur në rrasa ishte i tiji. Kur dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste, Jozuehu i tha Moisiut: «Britma lufte po dëgjohen në fushim». Por Moisiu i tha:
«Nuk është këngë kreshnikësh,
as këngë vaji nuk është.
Por këngë feste po dëgjoj».
Kur iu afrua fushimit dhe pa viçin e vallet, Moisiu u zemërua, i hodhi rrasat nga duart dhe i copëtoi rrëzë malit. E mori viçin që kishin bërë dhe e dogji në zjarr. E theu, e bëri pluhur dhe ua hodhi në ujë izraelitëve që ta pinin.
Atëherë i tha Aronit: «Ç'faj të ka ky popull që e ngarkove me një mëkat kaq të madh?». Aroni i tha: «Mos u zemëro imzot. Ti vetë e di sa popull i keq është ky. Ata më thanë: “Na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë ç'u bë me të!”. Unë u thashë: “Kush ka ar, ta heqë”. Ata ma sollën, unë e hodha në zjarr e pastaj doli ky viç».
Moisiu pa se populli ishte shfrenuar, sepse Aroni ua kishte lëshuar frerin aq sa ishin bërë gazi i botës. Pastaj Moisiu qëndroi në të hyrë të fushimit e tha: «Kush është me ZOTIN, të vijë tek unë!». Atëherë tërë levitët u mblodhën pranë Moisiut. Ai u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Secili të rrokë shpatën e vet. Përshkojeni fushimin derë më derë e secili të vrasë vëllanë, mikun dhe fqinjin e vet”». Levitët bënë siç u tha Moisiu. Atë ditë u vranë tre mijë burra. Pastaj Moisiu u tha: «Sot u shuguruat në shërbim të ZOTIT, u bekuat, sepse secili doli kundër birit e vëllait të vet».
Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Keni mëkatuar rëndë. Do të shkoj para ZOTIT e ndoshta do ta shlyej mëkatin tuaj». Kështu, Moisiu u kthye te ZOTI e tha: «Të lutem, ky popull ka mëkatuar rëndë, se ka bërë për vete perëndi të arta. Falua mëkatin. Nëse nuk ua fal, atëherë më fshij nga libri yt që ke shkruar». ZOTI i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që mëkatoi kundër meje. Tani, shko, çoje popullin atje ku të thashë, dhe engjëlli im do të të paraprijë. Por do të vijë një ditë kur do ta ndëshkoj mëkatin e tyre». Kështu, ZOTI e ndëshkoi popullin për viçin që kishin bërë, për viçin që Aroni kishte bërë.