Dalja 22
22
1Nëse vjedhësi vritet duke vjedhur, i zoti i shtëpisë do të jetë i pafajshëm, 2por nëse kjo ndodh gjatë ditës, të dënohet.
Vjedhësi të paguajë patjetër dëmshpërblim. Nëse nuk ka me se të paguajë, të shitet si skllav për vjedhjen. 3Nëse vjedhësit i kapen gjallë kafshët e vjedhura si qetë, gomarët dhe delet, të paguajë dyfish dëmshpërblim.
4Kur dikush kullot bagëtinë dhe ajo kalon në arën ose vreshtin e tjetrit dhe e shkreton atë, i zoti i bagëtisë të paguajë dëmshpërblim me pjesën më të mirë të arës dhe vreshtit që ka.
5Kur dikush ndez zjarr dhe zjarri përhapet përmes ferrave e djeg duaj, grurë ose tërë arën, fajtori të paguajë dëmshpërblim të plotë.
6Kur dikush i lë mikut para apo ndonjë send tjetër për t'i ruajtur e këto vidhen nga shtëpia e tij, nëse vjedhësi kapet, të paguajë dyfish dëmshpërblim. 7Nëse vjedhësi nuk kapet, atëherë i zoti i shtëpisë të sillet para Perëndisë që të tregojë në ka vënë dorë apo jo mbi pronën e tjetrit. 8Në çdo mosmarrëveshje, ku njëra palë ka pretendime qoftë për ka, gomar, dele, rrobë apo për çdo gjë të humbur, të dyja palët të sillen para Perëndisë. Atë që Perëndia nxjerr fajtor, të paguajë dyfish dëmshpërblim.
9Kur dikush i lë mikut gomarin, kaun, delen, ose çdo lloj kafshe për t'i ruajtur e ato ngordhin, gjymtohen ose grabiten pa patur ndonjë dëshmitar, 10ai të betohet para Zotit nëse ka vënë dorë apo jo në pronën e tjetrit. Atëherë i zoti i kafshës të pranojë betimin dhe të mos kërkojë dëmshpërblim. 11Nëse kafsha i vidhet, t'i paguajë dëmshpërblim të zotit. 12Nëse e shqyejnë egërsirat, të sjellë kufomën si dëshmi që të mos paguajë dëmshpërblim.
13Kur dikush merr hua kafshën e të afërtit dhe ajo gjymtohet ose ngordh, ndërkohë që i zoti nuk është i pranishëm, qiramarrësi të paguajë dëmshpërblim. 14Nëse i zoti ndodhet aty, atëherë të mos paguajë dëmshpërblim, sepse dëmi përfshihet te qiraja e paguar.
Ligje shoqërore dhe fetare
15Kur dikush mashtron një vajzë të virgjër, të pafejuar, dhe fle me të, do ta marrë për grua e do t'i paguajë pajën. 16Edhe nëse i ati i vajzës nuk pranon t'ia japë për grua, ai ta paguajë shumën që kërkohet për pajë.
17Mos lër gjallë askënd që bën magji.
18Kush fle me kafshë, të dënohet me vdekje.
19Kush u flijon fli perëndive të tjerë, përveç Zotit, të shfaroset.
20Mos e keqtrajto e mos e shtyp të huajin, sepse ju vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit.
21Mos e mundoni vejushën dhe jetimin. 22Nëse i mundoni, unë do ta dëgjoj thirrjen e tyre për ndihmë, 23do të ndizem plot zemërim e do t'ju pres me shpatë, që gratë t'ju mbesin të veja e fëmijët jetimë.
24Nëse i jep para hua popullit tim, të varfërve mes jush, mos u sillni me ta si huadhënës dhe mos u kërkoni kamatë. 25Nëse ia merr peng tunikën mikut tënd, ktheja para se të perëndojë dielli, 26sepse ajo është rroba e vetme me të cilën mbështillet. Me çfarë do të mbulohet kur të flejë? Kur të më thërrasë për ndihmë do ta dëgjoj, se unë jam i mëshirshëm.
27Mos e shaj Perëndinë dhe mos e mallko prijësin e popullit tënd.
28Mos vono të kushtosh nga begatia e arës dhe e mokrës. Mua do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu.
29Kështu do të veprosh edhe me qetë e delet. Për shtatë ditë i vogli do të rrijë me të ëmën. Në ditën e tetë do të ma japësh mua.
30Do të jeni për mua njerëz të shenjtë. Mos e hani mishin e shqyer nga egërsirat në fushë. Hidhjani qenve.
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 22: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020