Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 21

21
Ligji për skllevër
1Këto janë vendimet që do t'u parashtrosh: 2«Kur të blesh një skllav hebre, ai do të shërbejë për gjashtë vjet. Në vitin e shtatë do të lirohet pa paguar gjë. 3Nëse vjen vetëm, do të lirohet vetëm, nëse vjen i martuar, do të lirohet bashkë me të shoqen. 4Nëse i zoti i jep një grua dhe ajo i lind bij apo bija, gruaja dhe fëmijët do t'i përkasin të zotit, ndërsa ai vetë mund të shkojë i lirë. 5Por nëse skllavi thotë: “E dua timzot, time shoqe e fëmijët e mi dhe nuk dua të shkoj i lirë”, 6atëherë i zoti ta sjellë para Perëndisë. Ta sjellë para derës ose shtalkës dhe t'i shpojë veshin me fëndyell. Atëherë ai do të jetë përgjithmonë skllav i tij.
7Kur dikush shet të bijën si skllave, ajo nuk do të lirohet si skllevërit meshkuj. 8Nëse i zoti nuk e pëlqen vajzën që zgjodhi për vete, mund të kërkojë të shpaguhet, por nuk do të ketë të drejtë t'ia shesë një populli të huaj, ngaqë ka vepruar padrejtësisht me të. 9Nëse e zgjedh për të birin, do të sillet me të sikurse e kërkon zakoni të trajtohen bijat. 10Nëse merr një grua tjetër, të mos ia mohojë të parës ushqimin, rrobat dhe shtratin. 11Nëse nuk ia plotëson këto të tria, vajza të lirohet pa paguar gjë.
Ligji për vrasje
12Kush godet dikë e ai vdes, të dënohet me vdekje. 13Në rast se nuk e bën me dashje, por ndodh ngaqë Perëndia e lejon, atëherë unë do të caktoj një vend ku vrasësi të strehohet. 14Por nëse i sulet qëllimisht dhe e vret me dredhi, të kapet, qoftë edhe nga altari im, dhe të dënohet me vdekje.
15Kush godet atin e nënën e vet të dënohet me vdekje.
16Kush rrëmben një njeri, e shet atë apo e zënë me të në dorë, të dënohet me vdekje.
17Kush shan atin dhe nënën e vet, të dënohet me vdekje.
18Kur zihen dy vetë dhe njëri e godet tjetrin me gur apo me grusht, e ky nuk vdes, por zë shtratin 19dhe nëse ngrihet dhe ecën me shkop në dorë, rrahësi nuk do të dënohet, por do të paguajë për kohën që tjetri ndenji në shtrat dhe për shërimin e tij të plotë.
20Kur dikush rreh me shkop skllavin apo skllaven e vet dhe ata i vdesin në dorë, do të dënohet. 21Por, nëse ata jetojnë për një ose dy ditë, i zoti nuk do të dënohet, sepse skllevërit janë pronë e tij.
22Kur, gjatë një grindjeje, dikush godet një grua shtatzënë e ajo lind para kohe, por nuk ka ndonjë dëmtim, fajtori të gjobitet sipas kërkesës së bashkëshortit të saj dhe të paguajë dëmshpërblimin e miratuar nga gjykatësit. 23Nëse ka ndonjë dëmtim, të paguajë jetë për jetë, 24sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë, 25djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.
26Kur dikush e godet në sy skllavin apo skllaven e vet dhe e verbon, ta lërë të lirë si dëmshpërblim për syrin. 27Nëse i thyen dhëmbin skllavit apo skllaves së vet, ta lërë të lirë si dëmshpërblim për dhëmbin.
28Kur një dem godet me brirë një burrë ose grua dhe njeriu vdes, demi të vritet me gurë dhe mishi të mos hahet. I zoti i demit është i pafajshëm. 29Nëse demi e kishte zakon prej kohësh të godiste me brirë dhe i zoti ishte vënë në dijeni, por nuk e bënte zap e për pasojë demi vret një burrë ose grua, atëherë demi të vritet me gurë dhe i zoti të dënohet me vdekje. 30Por nëse të zotit të demit i kërkohet ndonjë dëmshpërblim, ai të paguajë çfarëdo që i kërkohet si shpagim për jetën e vet. 31I njëjti ligj të zbatohet edhe nëse demi godet me brirë ndonjë djalë apo vajzë. 32Nëse demi godet me brirë një skllav ose skllave, i zoti i demit t'i paguajë të zotit të skllevërve tridhjetë sikla argjendi dhe demi të vritet me gurë.
33Kur dikush e lë hapur grykën e pusit ose nuk e mbulon pusin që ka hapur, dhe në të bie një dem ose gomar, 34i zoti i pusit të mbajë kafshën e ngordhur, por t'i paguajë dëmshpërblim të zotit të kafshës.
35Kur një dem godet me brirë demin e një tjetri dhe ky ngordh, demi që është gjallë të shitet dhe çmimi i paguar të ndahet mes të zotërve. Mes tyre të ndahet edhe demi i ngordhur. 36Nëse demi e kishte zakon prej kohësh të godiste me brirë, por i zoti nuk e bënte zap, atëherë ai të paguajë dem për dem, dhe kafsha e ngordhur do t'i përkasë atij.
Ligji për vjedhje
37 # 21.37 të tjerë e rendisin si 22.1 Kur dikush vjedh qe ose dele, i ther ose i shet, të paguajë pesëfish dëmshpërblim për qetë e katërfish për delet.

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 21: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr