Perëndia tha këto fjalë: «Unë, ZOTI, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.
Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.
Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme.
Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë ZOTI, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim.
Mos e merr nëpër gojë kot emrin e ZOTIT, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.
Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. Sepse në gjashtë ditë ZOTI bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe ZOTI e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë.
Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt.