Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 2:1-15

Dalja 2:1-15 AL1

Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj. Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil. E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t'i ndodhte. Atëherë bija e faraonit erdhi për t'u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte. Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!». Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?». Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës. Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi. Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!». Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra». Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë