Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 16:1-16

Dalja 16:1-16 AL1

Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së ZOTIT në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria». Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se ZOTI është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». Moisiu vijoi: «ZOTI është ai që në mbrëmje do t'ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. ZOTI i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër ZOTIT». Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e ZOTIT u dëftua në re. ZOTI i tha Moisiut: «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, ZOTI, jam Perëndia juaj”». Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që ZOTI ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”».