ZOTI i tha Moisiut e Aronit në tokën e Egjiptit: «Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, muaji i parë i vitit. Flisni me bashkësinë e Izraelit dhe thuajini: “Në ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë nga një qengj për familjen e tij, një qengj për çdo shtëpi. Nëse numri i anëtarëve të shtëpisë është i vogël për një qengj, qengji të ndahet bashkë me fqinjin më të afërt sipas numrit të anëtarëve. Qengjin do ta zgjidhni sipas masës që do të hajë secili. Qengji të jetë i patëmetë, mashkull dhe motak. Merrni qengj ose kec. Ruajeni deri ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji dhe pastaj tërë bashkësia e Izraelit ta therë në muzg. Pastaj, të marrin pak nga gjaku i qengjit dhe të lyejnë të dy shtalkat dhe kryetraun e dyerve të shtëpive ku do të hahet qengji. Po atë natë, ta hanë mishin të pjekur në zjarr, me bukë të ndorme dhe me barishte të hidhura. Qengji të mos hahet i gjallë dhe në asnjë mënyrë i zier. Të piqet në zjarr, me kokë, këmbë e të brendshme. Të mos lihet asgjë nga qengji deri në mëngjes. Çdo gjë që mbetet në mëngjes të digjet në zjarr.
Ja si do ta hani: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe me shkop në dorë. Ta hani me të shpejtë, sepse është Pashka e ZOTIT. Atë natë, do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas tërë të parëlindurit e tokës së Egjiptit, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve. Perëndive të Egjiptit do t'ua bëj gjyqin unë, ZOTI. Gjaku, me të cilin lyet shtëpitë tuaja, do t'ju shërbejë si shenjë. Kur të godas tokën e Egjiptit, do të shoh gjakun dhe do të kaloj tutje pa ju ndëshkuar, që të mos shfaroseni.
Këtë ditë përkujtojeni e kremtojeni në nder të ZOTIT. Kremtojeni brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Në ditën e parë do të hiqni çdo tharm prej shtëpive tuaja. Kush do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në ditën e shtatë, do të zhbihet prej Izraelit. Ditën e parë dhe ditën e shtatë do të mbani një mbledhje të shenjtë. Gjatë këtyre ditëve mos bëni asnjë punë, përveç përgatitjes së ushqimit. Vetëm kjo do të lejohet. Mbajeni të kremten e Bukëve të ndorme, sepse po atë ditë unë e nxora ushtrinë tuaj nga toka e Egjiptit. Mbajeni këtë ditë brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. Që nga dita e katërmbëdhjetë e muajit të parë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme. Do t'i hani deri në mbrëmjen e ditës së njëzetedytë të muajit. Për shtatë ditë nuk do të ketë tharm në shtëpitë tuaja, sepse kush ha bukë të mbrujtur do të zhbihet prej bashkësisë së Izraelit, qoftë i ardhur apo vendas. Nuk do të hani asgjë të mbrujtur. Në tërë vendin tuaj do të hahet bukë e ndorme”».
Moisiu thirri pleqtë e Izraelit e u tha: «Shkoni, merrni qengja për familjet tuaja dhe flijojini për Pashkë. Merrni një tufëz hisopi, ngjyejeni në enën e gjakut dhe spërkatni me të kryetraun dhe dy shtalkat e dyerve. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. ZOTI do të kalojë që të ndëshkojë egjiptianët dhe, kur të shohë gjakun mbi kryetraun dhe mbi dy shtalkat e dyerve, do të kalojë tej dhe nuk do ta lërë shfarosësin t'ju hyjë në shtëpi që t'ju ndëshkojë. Mbajeni këtë rregull përherë, ju dhe fëmijët tuaj. Këtë rit ta mbani edhe kur të hyni në tokën që ZOTI do t'ju japë, ashtu siç ka thënë. Kështu, kur fëmijët t'ju pyesin se çfarë kuptimi ka ky rit, u thoni se është flija e Pashkës për ZOTIN, sepse ai i kaloi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt kur ndëshkoi Egjiptin dhe shtëpitë tona i shpëtoi». Atëherë populli u përkul dhe adhuroi. Ata shkuan dhe bënë ashtu siç kishte urdhëruar ZOTI Moisiun e Aronin.