Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 5:15-33

Efesianëve 5:15-33 AL1

Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë. Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë