Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 2:11-21

Efesianëve 2:11-21 AL1

Prandaj kujtohuni se ju dikur keni qenë kombe që jetonit në dobësinë e mishit e jeni quajtur të parrethprerë nga judenjtë që quhen të rrethprerë. Ata janë rrethprerë në mish nga dora e njeriut. Në atë kohë, ju ishit pa Krishtin, nuk i përkisnit popullit të Izraelit, ishit të huaj për besëlidhjet e premtimit dhe nuk kishit shpresë e as Perëndi në këtë botë. Por tani përmes Krishtit Jezu, ju që dikur ishit larg nga Perëndia, iu afruat atij me anë të gjakut të Krishtit. Krishti është paqja jonë, është ai që nga kombet e nga judenjtë bëri një popull të vetëm dhe që në trupin e tij shembi murin që i ndante e që i bënte armiq. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve dhe të rregullave, që t'i bashkonte me veten kombet dhe judenjtë e t'i bënte një njeri të ri, duke sjellë kështu paqen mes tyre. Pasi shkatërroi armiqësinë mes tyre me anë të kryqit të tij, Krishti i bashkoi ata në një trup të vetëm e i pajtoi me Perëndinë. Ai erdhi e u predikoi ungjillin e paqes si juve që ishit larg Perëndisë, ashtu edhe atyre që ishin afër tij. Sepse, përmes Krishtit, si ju kombet, ashtu edhe ne judenjtë, mund të shkojmë tek Ati, me anë të të vetmit Shpirt. Prandaj ju nuk jeni më të huaj e bujtës, por jeni bashkëqytetarë me të shenjtët dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë. Ju jeni pjesë e ndërtesës që ka si themel apostujt e profetët dhe si gur të qoshes vetë Krishtin Jezu. Në të e gjithë ndërtesa lidhet mirë e rritet për t'u bërë një tempull i shenjtë për Zotin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë