Kujto tërë udhën që ZOTI, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t'i mbaje apo jo urdhërimet e tij. Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s'e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e ZOTIT. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t'u shqyen rrobat, as t'u ënjt këmba. Ngulite në mendje se ZOTI, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. Mbaji urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. ZOTI, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh ZOTIN, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.
Kujdes se mos harron ZOTIN, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, mos të të rritet mendja dhe harron ZOTIN, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë.