«Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën ZOTI iu betua etërve tuaj. Kujto tërë udhën që ZOTI, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t'i mbaje apo jo urdhërimet e tij. Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s'e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e ZOTIT. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t'u shqyen rrobat, as t'u ënjt këmba. Ngulite në mendje se ZOTI, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. Mbaji urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. ZOTI, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh ZOTIN, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.