Ja, ZOTI, Perëndia yt, ta ka vënë përpara tokën. Ngrihu e pushtoje siç të tha ZOTI, Perëndia i etërve të tu. Mos ki frikë e mos u tremb!”.
Të gjithë ju m'u afruat e më thatë: “Të dërgojmë më parë disa njerëz, që të vëzhgojnë tokën, për të na treguar udhën nëpër të cilën do të ngjitemi dhe qytetet ku do të shkojmë”. Kjo m'u duk gjë e mirë, prandaj zgjodha prej jush dymbëdhjetë veta, nga një për çdo fis. Këta u nisën, iu ngjitën maleve dhe, si mbërritën në luginën e Eshkolit, e përgjuan. Pastaj mblodhën disa fruta të tokës atje, që i sollën me vete, e na sollën këtë lajm: “Toka që po na jep ZOTI, Perëndia ynë, është tokë e mirë”.
Por ju nuk deshët të shkonit e ngritët krye kundër urdhrit të ZOTIT, Perëndisë tuaj. Murmuritët në tendat tuaja e thatë: “ZOTI na urren, prandaj edhe na nxori nga toka e Egjiptit, për të na dorëzuar te amoritët, që të na zhbijnë. Ku të ngjitemi? Vëllezërit na e futën frikën, duke thënë: populli i tyre është më i madh e më shtatlartë se i yni. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, madje atje vumë re edhe pasardhësit e anakitëve”. Unë ju thashë: “Mos u tmerroni e mos kini frikë prej tyre! ZOTI, Perëndia juaj, që ju prin, ai vetë do të luftojë për ju ashtu siç bëri gjithçka për ju në Egjipt e në shkretëtirë, ku patë sesi ZOTI, Perëndia juaj, ju mbarti si fëmijë përgjatë gjithë udhës që ndërmorët derisa mbërritët në këtë vend”. Megjithatë, ju nuk i zutë besë ZOTIT, Perëndisë tuaj, atij që ju prin udhës për t'ju gjetur vendfushim, që natën ju prin me zjarr e ditën me re për t'ju treguar udhën që duhet të ndiqni.