Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 5:27-42

Veprat 5:27-42 AL1

Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij». Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë». Ata e dëgjuan Gamalielin dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë. Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë