Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë dhe i kapën apostujt e i futën në burg. Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re». Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.
Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».
Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».
Ata e dëgjuan Gamalielin dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.
Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.