Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot, ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë:
përse u zemëruan kombet
e popujt thurin shestime të kota?
Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».
Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.
Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.
Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.