Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 4:1-12

Veprat 4:1-12 AL1

Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë, iu afruan të zemëruar që ata po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit. Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje. Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë. Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë e shkruesit, u mblodhën në Jerusalem me kryepriftin Hanah, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore. Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç'fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?». Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, u tha: «Krerë të popullit e pleq të Izraelit, ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri. Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve. Jezui është guri që ju ndërtuesit e hodhët tej e që u bë guri i qoshes. Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».