Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 21:1-14

Veprat 21:1-14 AL1

Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm. Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi. Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin. Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem. Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu». Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!».