Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 2:14-41

Veprat 2:14-41 AL1

Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit, por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel: Në ditët e fundit, thotë Perëndia, do të ndodhë kështu: unë do të dikoj Shpirtin tim te të gjithë njerëzit. Bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime e pleqve tuaj do t'u flas përmes ëndrrave. Edhe mbi shërbëtorët e shërbëtoret e mia do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë e ata do të profetizojnë. Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme lart në qiell e shenja poshtë në tokë, gjak, zjarr e shtëllunga tymi. Dielli do të kthehet në errësirë e hëna në gjak para se të vijë dita madhështore dhe e lavdishme e Zotit. Atëherë, kushdo që të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet. Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. Davidi thotë për të: Zotin e kisha gjithmonë para syve. Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem. Prandaj u gëzua zemra ime, gjuha ime u ngazëllua e trupi im do të prehet në shpresë, se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë shpirtin tim, as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd të shohë kalbjen. Ti më ke treguar udhët e jetës e do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde. Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin. Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit: ai nuk u braktis në skëterrë dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen. Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni. Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë: I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa të t'i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua. Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht». Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja». Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë