Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 19

19
Pali në Efes
1Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj 2e u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e shenjtë?». Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të shenjtë». 3Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?». Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit». 4Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin». 5Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu. 6Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta. Ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin. 7Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.
8Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej t'i bindte për mbretërinë e Perëndisë. 9Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran. 10Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e helenë, dëgjuan fjalën e Zotit.
Bijtë e Skevit
11Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit. 12Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre.
13Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!». 14Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev, 15por shpirti i keq u përgjigj: «Unë i njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?». 16Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur.
17Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë e helenët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu. 18Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë. 19Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi. 20Kështu fjala e Zotit përhapej e forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.
Kryengritja në Efes
21Si ndodhën këto gjëra, Pali vendosi të shkonte në Jerusalem duke kaluar nëpër Maqedoni e nëpër Akai. Ai tha: «Pasi të kem shkuar atje, duhet të shoh edhe Romën». 22Kështu dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ndenji pak më gjatë në Azi.
23Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu. 24Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës, gjë që u sillte shumë punë zejtarëve. 25Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha: «Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri. 26Tani, ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pali i ka bindur dhe ka bërë për vete një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por pothuaj në të gjithë Azinë, duke u thënë se perënditë e bëra me duart e njerëzve nuk janë perëndi. 27Prandaj ka rrezik jo vetëm t'i bjerë vlera punës sonë, por që edhe të mos çmohet më tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë dhe asaj t'i humbë madhështia që e ka shtyrë tërë Azinë e botën ta adhurojnë».
28Kur e dëgjuan këtë gjë, zejtarët u zemëruan e bërtitën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!». 29Rrëmuja u përhap në gjithë qytetin. Turma u bashkua e shkoi me vrap te teatri, duke tërhequr zvarrë Gajin e Aristarkun që ishin maqedonas e që udhëtonin me Palin.
30Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë. 31Edhe disa krerë të krahinës së Azisë, që ishin miq të tij, dërguan njerëz tek ai për t'i thënë që të mos shkonte te teatri për të dalë para turmës. 32Atëherë u bë rrëmujë e madhe ndër të mbledhurit. Disa bërtisnin e thoshin një gjë e të tjerë një gjë tjetër, ndërsa shumica nuk e dinte pse ishin mbledhur. 33Disa nga turma shtynë përpara njëfarë Aleksandri dhe judenjtë e nxitën të fliste. Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u mundua të fliste para popullit në mbrojtje të judenjve, 34por kur e kuptuan se ishte jude, të gjithë së bashku bërtitën njëzëri për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».
35Sekretari i qytetit, pasi e qetësoi turmën, tha: «Burra të Efesit, a ka njeri këtu që nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shtatores së rënë nga lart? 36Kjo gjë nuk mund të mohohet, prandaj qetësohuni e mos bëni gjëra të nxituara. 37Keni sjellë këtu këta njerëz, që as kanë vjedhur tempullin e as kanë fyer perëndeshën tuaj. 38Nëse Dhimitri e zejtarët e tjerë, që janë me të, kanë ndonjë gjë kundër ndokujt, gjykatat janë të hapura dhe kanë prokonsuj. Atje le t'i ngrenë paditë kundër njëri-tjetrit. 39Nëse keni ndonjë çështje tjetër, ajo do të shqyrtohet sipas ligjit në mbledhjen e radhës. 40-41Ndërsa sot rrezikojmë të paditemi për kryengritje, meqë nuk kemi asnjë arsye që na jep të drejtë për këtë grumbullim».
Pasi tha këto, e shpërndau turmën#19.40 dorëshk. të tjera e përmbajnë këtë fjali si rr. 41 .

Aktualisht i përzgjedhur:

Veprat 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr