Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 18:18-28

Veprat 18:18-28 AL1

Pali, pasi ndenji për njëfarë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim. Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë e diskutoi me judenjtë. Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi. Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: «Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije. Pasi arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki. Ndenji aty për njëfarë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve. Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë e i njihte mirë Shkrimet. Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, por kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë. Meqë dëshironte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër e u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar, sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë e u provonte hapur, përmes Shkrimeve, se Jezui është Krishti.