Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh. “Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj, se edhe ne jemi bijtë e tij”. E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve». Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». Atëherë Pali u largua prej tyre. Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë.
Lexo Veprat 17
Dëgjoj Veprat 17
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Veprat 17:22-34
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video