Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas dokeve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni». Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës. Kisha i përcolli e u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve. Të gjithë vëllezërit u gëzuan shumë.
Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt e pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre. Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Të kthyerit në besim duhet të rrethpriten e të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».
Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje. Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha: «Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë. Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve. Ai i pastroi zemrat e tyre me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre. Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne? Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata».
Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin që tregonin për të gjitha shenjat e mrekullitë që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve.
Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha: «Vëllezër, më dëgjoni. Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga kombet një popull që t'i përkasë atij. Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar:
pas këtyre gjërave, unë do të kthehem
e do ta ringre tendën e Davidit që është rrëzuar.
Do ta ringre nga rrënojat e saj
e do ta lartësoj sërish,
kështu që, të gjithë njerëzit e tjerë
të mund ta kërkojnë Zotin
e po ashtu edhe të gjithë kombet
që janë bërë populli im.
Kështu thotë Zoti
që i bën këto gjëra
të njohura që nga amshimi.
Prandaj mendoj se nuk duhet t'u vëmë barrë kombeve që kthehen te Perëndia, por duhet t'u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që u është kushtuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut. Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, se që nga kohët e shkuara janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti».
Atëherë apostujt e pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t'i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit. Ata shkruan me dorën e tyre:
«Vëllezërit apostuj e pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve që vijnë nga kombet e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje!
Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin, kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t'i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht. Kemi dërguar Judën e Silën që do t'jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.
Shpirti i shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t'ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme: hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.
Ju priftë e mbara!».
Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën. Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi. Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t'u dhënë zemër vëllezërve e për t'i forcuar.
Pasi kaluan disa kohë aty, vëllezërit i nisën në paqe tek ata që i kishin dërguar. Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit.