Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 13

13
Zgjedhja e Barnabës dhe Saulit
1Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. 2Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». 3Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
Predikimi në Qipro
4Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. 5Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.
6Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. 7Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. 8Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. 9Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë 10e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? 11Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe».
Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. 12Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.
Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë
13Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. 14Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë.
Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. 15Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t'u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». 16Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: 17Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm 18dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. 19Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi 20për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës#13.20 dorëshk. të tjera: dhe pastaj për afro katërqind e pesëdhjetë vjet u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel. 21Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. 22Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia”. 23Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin. 24Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. 25Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh sandalet”.
26Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. 27Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. 28Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. 29Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. 30Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve 31e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.
32Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, 33Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
34Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:
Unë do t'ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.
35Prandaj në një psalm tjetër ka thënë:
nuk do të lejosh,
që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
36Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. 37Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.
38Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. 39Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. 40Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:
41 shikoni o përbuzës,
mrekullohuni e zhdukuni,
se unë do të bëj një vepër të tillë
në ditët tuaja,
vepër që nuk do ta besonit kurrë,
edhe po t'ua thoshte dikush».
42Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. 43Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.
44Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. 45Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.
46Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. 47Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu:
të kam caktuar të jesh
dritë për kombet,
që të çosh shpëtimin
deri në skajet e dheut».
48Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.
49Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. 50Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.
51Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.
52Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Veprat 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr