Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 12:1-19

Veprat 12:1-19 AL1

Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të. Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë. Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua». Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera. Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër. Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t'i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.