Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».
Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».
Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.
Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.
Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».
Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: «A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.