Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 8:1-12

2 Samuelit 8:1-12 AL1

Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Meteg Amahun prej tyre. Ai mundi edhe moabitët. I shtriu përtokë dhe i ndau në rreshta. Dy rreshta i vrau dhe një rresht e fali. Moabitët iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbretin e Cobahut, kur ai po shkonte për t'i ngritur një përmendore vetes pranë lumit Eufrat dhe i mori një mijë e shtatëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. Pastaj Davidi vendosi disa njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. ZOTI e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. Edhe nga Betahu e nga Berotai, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi. Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, dërgoi te mbreti David birin e tij, Joramin, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë argjendi, ari e bronzi. Mbreti David ia kushtoi ZOTIT edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte kushtuar prej të gjitha kombeve që kishte nënshtruar, prej arameasve, moabitëve, amonitëve, filistinëve, amalekitëve dhe prej plaçkës së Hadadezerit, birit të Rehobit, mbretit të Cobahut.