Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 7:1-17

2 Samuelit 7:1-17 AL1

Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij dhe ZOTI i dha paqe nga tërë armiqtë, që e rrethonin, mbreti i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e Perëndisë banon në një tendë pëlhurash». Natani iu përgjigj mbretit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se ZOTI është me ty». Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e ZOTIT e i tha: «Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë ZOTI: “Pse, ti do të ma ndërtosh shtëpinë ku do të banoj? Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur i solla izraelitët nga Egjipti e deri në këtë ditë. Jam endur nëpër tenda e banesa. Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej prijësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, Izraelin, e u kisha thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? Mirëpo tani, kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë ZOTI i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më si dikur, kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do të jap prehje nga të gjithë armiqtë e tu. ZOTI po të kumton se vetë ZOTI do të të ndërtojë ty një shtëpi. Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. Ai do t'i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. E në bëftë ndonjë prapësi, do ta qortoj me thupër e me plagë, siç bëjnë prindërit. Por nuk do t'ia mohoj dashurinë, siç ia mohova Saulit që e hoqa para teje. Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”». Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe të gjithë këtë vegim.