Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 6:1-23

2 Samuelit 6:1-23 AL1

Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e ZOTIT të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para ZOTIT, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i ZOTIT dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. Davidi u mërzit që ZOTI e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi pati frikë nga ZOTI e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e ZOTIT?». Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e ZOTIT në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e ZOTIT ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. ZOTI e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të. Mbretin David e lajmëruan e i thanë: «ZOTI e ka bekuar shtëpinë e Obed Edomit me gjithë ç'ka, për hir të arkës së Perëndisë». Atëherë Davidi shkoi dhe e solli me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed Edomit te Qyteti i Davidit. Pasi ata që mbartnin arkën e ZOTIT bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para ZOTIT. Ai kishte veshur një efod të linjtë. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e ZOTIT me brohoritje dhe me tingujt e bririt. Kur arka e ZOTIT mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para ZOTIT dhe e përçmoi në zemrën e vet. Arkën e ZOTIT e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para ZOTIT. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të ZOTIT të ushtrive dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet. Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». Davidi i tha Mikalës: «E bëra para ZOTIT që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e ZOTIT, Izraelin. Po, para ZOTIT do të lodroj! Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë». Mikala, bija e Saulit, vdiq pa lënë fëmijë.