Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 6:1-11

2 Samuelit 6:1-11 AL1

Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e ZOTIT të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para ZOTIT, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i ZOTIT dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. Davidi u mërzit që ZOTI e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi pati frikë nga ZOTI e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e ZOTIT?». Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e ZOTIT në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e ZOTIT ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. ZOTI e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të.