Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 5:1-25

2 Samuelit 5:1-25 AL1

Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt. Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. ZOTI të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”». Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para ZOTIT. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet. Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet. Mbreti shkoi me njerëzit e tij në Jerusalem të sulmonte jebusitët, banorët e vendit. Ata i thanë: «Nuk ke për të hyrë, se edhe të verbrit e të çalët do të të zmbrapsin!». Ata mendonin se Davidi nuk mund të hynte dot. Por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit që u quajt Qyteti i Davidit. Atë ditë Davidi tha: «Kush sulmon jebusitët të dalë te hullia e kroit e të godasë të çalë e të verbër që Davidi i urren me shpirt». Prandaj thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë në tempull». Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj u quajt Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin përreth, nga Miloja e më tej përbrenda. Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Perëndia i ushtrive ishte me të. Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, marangozë e muratorë. Dhe ata ndërtuan një shtëpi për Davidin. Atëherë Davidi e mori vesh se ZOTI e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit. Davidi mori të tjera gra e shemra në Jerusalem, pas kthimit nga Hebroni, dhe lindi bij e bija të tjera. Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai, Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti. Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi Izrael, të gjithë shkuan për ta kërkuar. Davidi e mori vesh e shkoi në fortesë. Filistinët mbërritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Davidi u këshillua me ZOTIN e tha: «A të dal kundër filistinëve? A do të m'i lësh në dorë?». ZOTI iu përgjigj Davidit: «Dil, e do të t'i lë në dorë». Davidi u ngjit në Baal Peracim dhe i mundi aty. Atëherë Davidi tha: «ZOTI i çau armiqtë e mi siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. Filistinët i lanë aty idhujt e tyre dhe ato i morën Davidi dhe njerëzit e tij. Filistinët sulmuan edhe një herë dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Davidi u këshillua sërish me ZOTIN dhe ai i tha: «Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores, në majë të Bekaimit, hidhu në sulm, sepse ZOTI ka dalë para teje për ta goditur fushimin e filistinëve». Davidi bëri siç e urdhëroi ZOTI dhe i shpartalloi filistinët nga Geba gjer sa del në Gezer.