Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 11:1-27

2 Samuelit 11:1-27 AL1

Në ndërrimin e viteve, në kohën kur mbretërit dalin në luftë, Davidi dërgoi Joabin, shërbëtorët që ishin me të e mbarë Izraelin, për të shfarosur amonitët. Ata rrethuan Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jerusalem. Një mbrëmje Davidi u ngrit nga shtrati dhe filloi të shëtiste në tarracën e shtëpisë së mbretit. Nga tarraca pa një grua që po lahej. Ajo ishte shumë e bukur. Davidi dërgoi njerëz të pyesnin për atë grua dhe i thanë: «Kjo është Batsheba, bija e Eliamit, gruaja e Urjah Hititit». Atëherë Davidi dërgoi disa lajmëtarë për ta sjellë tek ai dhe fjeti me të. Ajo sapo kishte kryer ritin e pastrimit nga të përmuajshmet. Pastaj ajo u kthye në shtëpinë e vet. Gruaja mbeti shtatzënë dhe i dërgoi lajm Davidit e i tha: «Jam shtatzënë!». Davidi i çoi fjalë Joabit e i tha: «Ma dërgo Urjah Hititin». Joabi e dërgoi Urjahun te Davidi. Kur Urjahu mbërriti tek Davidi, ai e pyeti për Joabin, ushtrinë dhe ecurinë e luftës. Pastaj i tha: «Shko në shtëpi e laj këmbët». Urjahu doli prej shtëpisë së mbretit dhe mbreti i dërgoi një dhuratë. Urjahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit, bashkë me shërbëtorët e zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi. Kur e lajmëruan Davidin se Urjahu nuk kishte shkuar në shtëpinë e vet ai i tha: «Sapo ke ardhur nga udha, përse nuk shkon në shtëpi?». Urjahu iu përgjigj: «Kur arka, Izraeli e Juda banojnë në kasolle dhe Joabi e shërbëtorët e zotërisë tim fushojnë në fushë të hapur, si të shkoj për të ngrënë, për të pirë e për t'u shtrirë me time shoqe? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, nuk do ta bëj një gjë të tillë». Atëherë Davidi i tha: «Rri këtu edhe sot. Nesër do të të nis». Urjahu qëndroi në Jerusalem atë ditë dhe të nesërmen. Davidi e ftoi që të hante në prani të tij. I dha të pinte dhe e dehu. Në mbrëmje ai doli e u shtri në shtrat mes shërbëtorëve të zotërisë së vet, por në shtëpi nuk shkoi. Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Urjahut. Në letër shkroi: «Vëreni Urjahun në vijën e parë, aty ku beteja është e ashpër. Pastaj tërhiquni prej tij, që ta qëllojnë e ta vrasin». Kështu, kur Joabi rrethoi qytetin e vuri Urjahun te vendi ku e dinte se kishte luftëtarë të fortë. Burrat e qytetit dolën për t'u ndeshur me Joabin dhe aty ranë disa nga shërbëtorët e Davidit. Atje vdiq edhe Urjah Hititi. Atëherë Joabi i çoi lajm e i tregoi Davidit gjithçka që ndodhi në betejë. Joabi e porositi lajmëtarin e i tha: «Pasi t'i kesh treguar mbretit gjithçka për betejën dhe ai zemërohet e pyet: “Përse sulmuat pranë qytetit? A nuk e dinit se do t'ju qëllonin nga muret? Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshetit? A nuk e qëlloi një grua nga muri me gurin e mokrës dhe ai mbeti i vdekur në Tebec? Përse iu afruat murit?”, ti do t'i thuash: “Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi”». Lajmëtari shkoi dhe i tregoi Davidit gjithçka siç e kishte porositur Joabi. Lajmëtari i tha Davidit: «Armiqtë patën epërsi e na dolën në fushë të hapur, por ne iu kundërvumë deri në të hyrë të portave. Shigjetarët i qëlluan nga muret shërbëtorët e tu dhe disa prej shërbëtorëve të mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi». Davidi i tha lajmëtarit: «Kështu thuaji Joabit: “Mos u shqetëso për këtë, se kështu e ka shpata që përpin sa andej-këtej. Vërsulju qytetit dhe rrafshoje”». Kur gruaja e Urjahut dëgjoi se i shoqi kishte vdekur, e vajtoi. Pasi kaloi koha e zisë, Davidi dërgoi njerëz për ta sjellë në shtëpinë e tij. E mori për grua dhe ajo i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi ishte keq në sytë e ZOTIT.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë