Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 3

3
Mbretërimi i Jehoramit në Izrael
1Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit në Judë, Jehorami, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Samari. 2Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si i ati dhe e ëma, sepse ai hoqi përmendoren e Baalit, që kishte ndërtuar i ati. 3Megjithatë, Jehorami nuk u largua prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatojë.
4Meshai, mbreti i Moabit, ishte blegtor dhe i jepte mbretit të Izraelit si tagër njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve. 5Por pas vdekjes së Ahabit, mbreti i Moabit u ngrit kundër mbretit të Izraelit. 6Atëherë mbreti Jehoram u nis nga Samaria dhe thirri nën armë mbarë Izraelin. 7Ai i çoi fjalë edhe Joshafatit, mbretit të Judës, e i tha: «Mbreti i Moabit është ngritur kundër meje. A do të vish me mua të luftojmë kundër tij?». Joshafati iu përgjigj: «Do të vij. Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë». 8Pastaj Joshafati e pyeti: «Nga cila rrugë do të shkojmë?». Jehorami iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit».
9Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit u nisën bashkë dhe marshuan për shtatë ditë, duke i rënë rrotull shkretëtirës. Por nuk kishin më ujë për ushtrinë dhe për kafshët, që kishin me vete. 10Atëherë mbreti i Izraelit tha me zë të lartë: «Mjerë ne! Zoti na paska bashkuar ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». 11Joshafati tha: «A ka këtu ndonjë profet të Zotit që me anë të tij të këshillohemi me Zotin?». Një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj: «Po, Eliseu, biri i Shafatit, i cili i shërbente Elisë». 12Joshafati tha: «Fjala e Zotit është me të». Atëherë mbreti i Izraelit, Joshafati dhe mbreti i Edomit shkuan tek Eliseu.
13Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate». Por mbreti i Izraelit i tha: «Jo, sepse Zoti na ka mbledhur ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». 14Atëherë Eliseu i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte për Joshafatin, mbretin e Judës, ty nuk do të të jepja rëndësi e nuk do të të hidhja as sytë. 15E tani më sillni një muzikant». Teksa muzikanti po i binte veglës muzikore, fuqia e Zotit erdhi mbi Eliseun 16e ai tha: «Kështu thotë Zoti: hapni sa më shumë gropa në këtë luginë, 17sepse, siç thotë Zoti, ndonëse nuk do të shihni as erë e as shi, kjo luginë do të mbushet me ujë e do të pini ju me gjithë bagëtitë e kafshët tuaja. 18Kjo nuk është asgjë për Zotin, sepse ai do t'ju dorëzojë edhe Moabin. 19Do t'i shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet e rëndësishme. Do t'i prisni të gjitha pemët e mira, do të mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë». 20Të nesërmen në mëngjes, në kohën kur po kushtonin flinë, ia behën ujërat nga ana e Edomit dhe i gjithë vendi u mbush me ujë.
21Kur moabitët dëgjuan se tre mbretërit kishin ardhur për të luftuar kundër tyre, thirrën nën armë të gjithë ata që kishin moshën e që mund të mbanin armë, dhe u rreshtuan në kufi. 22Në mëngjes, moabitët u ngritën herët, panë diellin, që ndriçonte mbi ujërat dhe i bënte të dukeshin të kuqe si gjaku, 23e thanë: «Ky është gjak! Mbretërit paskan luftuar me njëri-tjetrin e kanë vrarë njëri-tjetrin. Përpara, o moabitë, rrëmbeni plaçkën e luftës!». 24Kur iu afruan fushimit të Izraelit, luftëtarët e Izraelit u ngritën e u hodhën në sulm kundër moabitëve. Moabitët morën arratinë, por izraelitët i ndoqën pas e i vranë. 25Mandej ata shkatërruan qytetet e Moabit dhe tokat e mira i mbushën me gurët që hodhën të gjithë. Burimet e ujërave i mbyllën dhe pemët e mira i prenë. Kishin mbetur vetëm muret e Kir Harashetit, por edhe atë e rrethuan luftëtarët me hobe dhe e sulmuan. 26Mbreti i Moabit pa se beteja po bëhej tepër e ashpër për të, prandaj mori me vete shtatëqind luftëtarë me shpata e iu vërsul mbretit të Edomit, por nuk ia dolën mbanë. 27Atëherë ai mori djalin e tij të parëlindur, trashëgimtarin e fronit, dhe e kushtoi si fli shkrumbimi mbi muret e qytetit. Kjo gjë i neveriti izraelitët, saqë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e tyre.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Mbretërve 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë