Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku edhe i shpallën dënimin. Bijtë e Sedekisë i vranë para syve të tij, ndërsa vetë Sedekisë i nxorën sytë, e lidhën me vargonj prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
Në ditën e shtatë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit në Babiloni, Nebuzaradani, kreu i truprojës dhe nëpunës i mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. Ai dogji tempullin e ZOTIT, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. Mbarë ushtria e kaldenjve bashkë me kreun e truprojës shkatërruan muret e qytetit. Pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë dhe mbarë popullin e mbetur Nebuzaradani, kreu i truprojës, i shpërnguli në mërgim. Ai la pas vetëm disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.
Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e ZOTIT dhe bronzin e çuan në Babiloni. Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat e tempullit. Kreu i truprojës mori të gjitha pajisjet prej ari dhe argjendi, bashkë me mangallët dhe me kupat e arta. Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve që kishte punuar Solomoni për tempullin e ZOTIT, të të dy shtyllave, të detit prej metali dhe të bazave, nuk mund të llogaritej. Lartësia e secilës shtyllë ishte nëntë metra dhe lartësia e krythave që ndodheshin mbi to, ishte nga një metër e gjysmë. Krythat ishin të rrethuara me rrjeta të thurura dhe me vargje shegësh, të gjitha prej bronzi. Edhe shtylla tjetër kishte të njëjtat zbukurime.
Kreu i truprojës mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e dytë Sofoni dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, pesë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në qytet. Nebuzaradani, kreu i truprojës, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.
Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e la një pjesë të popullit të qëndrojë në tokën e Judës dhe u caktoi si qeveritar Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. Kur krerët e grupimeve të mbetura ushtarake dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar qeveritar Gedaliahun, shkuan tek ai në Micpah. Këta ishin Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, netofatitit, dhe Jazanjahu, biri i Makatitit, bashkë me luftëtarët e tyre. Atëherë Gedaliahu iu përbetua atyre dhe luftëtarëve të tyre e u tha: «Mos kini frikë nga zyrtarët kaldenj. Banoni në tokën tuaj, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do të jeni mirë».