Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 22:3-20

2 Mbretërve 22:3-20 AL1

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbreti Josi dërgoi Shafanin, birin e Acaljahut, të birin e Meshulamit, shkruesit, në tempullin e ZOTIT e i tha: «Shko te kryeprifti Hilkiah dhe thuaji të bëjë gati paratë e hedhura në tempullin e ZOTIT, që portarët kanë mbledhur nga populli. Paratë t'ua japin përgjegjësve të punëtorëve që janë caktuar për tempullin e ZOTIT e ata t'ua japin punëtorëve që po kryejnë meremetimet e dëmtimeve të tempullit të ZOTIT, marangozëve, ndërtuesve dhe muratorëve, që të blejnë dru dhe gurë të latuar për meremetimet e tempullit. Por askush të mos u kërkojë llogari për paratë e dhëna, sepse ata punojnë me ndershmëri». Kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e ZOTIT librin e ligjit». Hilkiahu ia dha librin Shafanit dhe ai e lexoi. Shafani, shkruesi, u kthye te mbreti dhe e njoftoi për punët: «Shërbëtorët e tu i mblodhën paratë që u gjetën në tempull dhe ua dhanë përgjegjësve të punimeve në tempullin e ZOTIT». E mandej i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha një libër». Shafani filloi ta lexojë librin para mbretit. Kur dëgjoi fjalët e shkruara në librin e ligjit, mbreti shqeu rrobat. Atëherë ai u dha këtë urdhër priftit Hilkiah, Ahikamit, të birit të Shafanit, Akborit, të birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me ZOTIN për mua, për popullin dhe për mbarë Judën në lidhje me fjalët e këtij libri që gjetëm. Zemërimi i ZOTIT kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e këtij libri dhe nuk e kanë zbatuar gjithçka është shkruar për ne». Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tikvahut, të birit të Harhasit, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ajo u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë ZOTI: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë fjalët e librit, që lexoi mbreti i Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me gjithë veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me ZOTIN, do t'i thoni: Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para ZOTIT sapo dëgjove ato që thashë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, se do të bëhet vend i shkretë e i mallkuar, meqenëse shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë ZOTI. “Prandaj, do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.