Atëherë engjëlli i ZOTIT i tha Eli Tishbitit: «Ngrihu e shko të takosh të dërguarit e mbretit të Samarisë e thuaju: “A nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, kështu thotë ZOTI: prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mandej Elia u largua. Të dërguarit u kthyen te mbreti e ai i pyeti: «Përse u kthyet?». Ata iu përgjigjën: «Na doli përpara një burrë e na tha: “Kthehuni te mbreti, që ju dërgoi, e thuajini: kështu thotë ZOTI: a nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mbreti i pyeti: «Si ishte nga pamja burri që ju doli përpara e ju tha këto gjëra?». Ata iu përgjigjën: «Ishte njeri leshtor dhe rreth ijëve kishte ngjeshur një brez lëkure». Ai u tha: «Është Eli Tishbiti». Mbreti Ahazjah dërgoi një nga kryepesëdhjetësit me pesëdhjetë luftëtarë për ta kapur Elinë. Ata shkuan tek Elia dhe e gjetën duke ndenjur në majë të malit. Atëherë kreu i njësisë ushtarake i tha: «O njeri i Perëndisë, mbreti ka urdhëruar të zbresësh». Elia iu përgjigj kreut të njësisë ushtarake: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij.
Lexo 2 Mbretërve 1
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 2 Mbretërve 1:3-10
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video