Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 1:1-18

2 Mbretërve 1:1-18 AL1

Pas vdekjes së Ahabit, Moabi u ngrit kundër Izraelit. Një ditë mbreti Ahazjah ra nga hekurat e dritares së dhomës së sipërme në Samari e u lëndua. Ai dërgoi disa njerëz, që të merrnin vesh prej Baal Zebubit, perëndisë së Ekronit, në do të shërohej a jo. Atëherë engjëlli i ZOTIT i tha Eli Tishbitit: «Ngrihu e shko të takosh të dërguarit e mbretit të Samarisë e thuaju: “A nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, kështu thotë ZOTI: prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mandej Elia u largua. Të dërguarit u kthyen te mbreti e ai i pyeti: «Përse u kthyet?». Ata iu përgjigjën: «Na doli përpara një burrë e na tha: “Kthehuni te mbreti, që ju dërgoi, e thuajini: kështu thotë ZOTI: a nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mbreti i pyeti: «Si ishte nga pamja burri që ju doli përpara e ju tha këto gjëra?». Ata iu përgjigjën: «Ishte njeri leshtor dhe rreth ijëve kishte ngjeshur një brez lëkure». Ai u tha: «Është Eli Tishbiti». Mbreti Ahazjah dërgoi një nga kryepesëdhjetësit me pesëdhjetë luftëtarë për ta kapur Elinë. Ata shkuan tek Elia dhe e gjetën duke ndenjur në majë të malit. Atëherë kreu i njësisë ushtarake i tha: «O njeri i Perëndisë, mbreti ka urdhëruar të zbresësh». Elia iu përgjigj kreut të njësisë ushtarake: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij. Mbreti dërgoi sërish një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i njësisë ushtarake i tha Elisë: «O njeri i Perëndisë, kështu thotë mbreti: “Zbrit poshtë menjëherë!”». Elia i tha atij dhe luftëtarëve të tij: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarri prej qiellit e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij. Mbreti dërgoi për herë të tretë një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i tretë i njësisë ushtarake shkoi tek Elia, ra në gjunjë para tij dhe iu përgjërua me këtë fjalë: «O njeri i Perëndisë, të lutem të të vijë keq për jetën time dhe për jetën e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu. Dy kryepesëdhjetësit e parë dhe pesëdhjetë luftëtarët e tyre i përpiu zjarri, që zbriti prej qiellit. Tani, po të lutem, të të dhimbset jeta ime». Atëherë engjëlli i ZOTIT i tha Elisë: «Zbrit me të e mos ki frikë prej tij». Elia zbriti nga mali, shkoi te mbreti e i tha: «Kështu thotë ZOTI: meqenëse ke dërguar njerëz për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit, a thua se nuk paska Perëndi në Izrael, nuk ke për t'u ngritur nga shtrati ku ke rënë e aty ke për të vdekur». Ahazjahu vdiq sipas fjalës që kishte thënë ZOTI përmes profetit Elia. Pas Ahazjahut, në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoramit, birit të Joshafatit, në Judë, mbretëroi i vëllai, Jehorami, sepse Ahazjahu nuk kishte djalë. Bëmat e tjera të Ahazjahut janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.