Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 7

7
Flijimet kushtuar Zotit
1Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e Zotit mbushi tempullin. 2Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e Zotit, se tempullin e kishte mbushur lavdia e Zotit. 3Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e Zotit mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan Zotin, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim.
Kushtimi i tempullit
4Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para Zotit. 5Mbreti Solomon i kushtoi Zotit njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. 6Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin Zotit me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar Zotin, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë.
7Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të Zotit. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit.
8Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. 9Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. 10Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë Zoti Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet.
Zoti i shfaqet sërish Solomonit
11Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të Zotit, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e Zotit dhe në pallatin mbretëror, 12Zoti iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. 13Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, 14dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. 15Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. 16Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty. 17Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar dhe nëse mban rregullat dhe vendimet e mia, 18do ta bëj fronin e mbretërisë sate të jetë i qëndrueshëm, ashtu siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Mbi fronin e Izraelit do të jetë përherë një nga pasardhësit e tu”.
19Por nëse ju më braktisni, nuk i mbani rregullat e ligjet, që ju dhashë unë, dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, 20do t'ju zhbij nga faqja e dheut që ju kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. 21Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e do të thonë: “Përse u soll kështu Zoti me këtë vend e me këtë tempull?”. 22E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë Zotin, Perëndinë e paraardhësve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj Zoti solli këtë fatkeqësi mbi ta”».

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr