2 Kronikave 20
20
Fitorja e Joshafatit
1Pas këtyre ngjarjeve, moabitët, amonitët dhe disa maonitë u bënë bashkë për të luftuar kundër Joshafatit. 2Lajmëtarët erdhën e i thanë Joshafatit: «Po vjen të të sulmojë një ushtri shumë e madhe nga përtej detit, nga Arami. Tani ndodhen në Hacecon Tamar që është En Gedi». 3I tronditur nga frika, Joshafati filloi t'i lutet Zotit dhe shpalli agjërimin në mbarë Judën. 4Banorët e Judës u mblodhën për t'iu përgjëruar Zotit, madje për t'iu përgjëruar Zotit erdhën nga të gjitha qytetet e Judës.
5Atëherë Joshafati u ngrit në këmbë para bashkësisë së Judës e të Jerusalemit në tempullin e Zotit, para tremes së re, 6e tha: «O Zot, Perëndi i etërve tanë! Ti je Perëndia i qiejve dhe ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve. Në dorën tënde është forca dhe pushteti e askush nuk mund të të bëjë ballë. 7Ti, o Perëndia ynë, i dëbove banorët e kësaj toke para popullit tënd, Izraelit, për t'ia dhënë përgjithmonë pasardhësve të Abrahamit, mikut tënd? 8Ata banuan në këtë tokë e ndërtuan një shenjtërore për nder të emrit tënd e thanë: 9Nëse na zë ndonjë fatkeqësi, luftë gjakatare, murtajë apo uri, do të qëndrojmë para këtij tempulli në praninë tënde, sepse në këtë tempull banon vetë emri yt, do të të thërrasim për ndihmë në kohë vështirësish dhe ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh. 10Ja, tani po na sulmojnë amonitët, moabitët dhe malësorët e Seirit, nëpër tokat e të cilëve nuk e lejove Izraelin të kalojë, kur doli nga vendi i Egjiptit. Izraeli iu shmang trojeve të tyre e nuk i shfarosi. 11E tani, ata po na e shpërblejnë duke na sulmuar e duke dashur të na dëbojnë prej trashëgimisë që na dhe ti. 12O Perëndia ynë, a do t'i lësh pa i ndëshkuar? Ne nuk kemi aq forcë sa t'i bëjmë ballë gjithë kësaj morie, që po vjen të na sulmojë, e ngaqë nuk dimë çfarë të bëjmë, i kemi sytë vetëm nga ti».
13Tërë banorët e Judës, me foshnja, gra e fëmijë, qëndronin në këmbë para Zotit. 14Atëherë, atje në mes të bashkësisë, Shpirti i Zotit erdhi mbi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Benajahut, të birit të Jejelit, të birit të Matanjahut, një levit nga pasardhësit e Asafit, 15e ai tha: «Dëgjoni me kujdes, o banorë të Judës e të Jerusalemit dhe ti, o mbret Joshafat! Kështu ju thotë Zoti: “Mos kini frikë e mos u tmerroni nga kjo hordhi ushtarësh, se nuk do të luftoni ju, por Perëndia. 16Nesër hidhuni në sulm kundër tyre. Ata do të ngjiten përpjetës së Cicit e ju do t'i prisni në skajin e luginës që ndodhet kundruall shkretëtirës së Jeruelit. 17Nuk do të jeni ju ata që do të luftoni. Ju do të qëndroni atje në këmbë e do të shikoni sesi Zoti, që është me ju, do të korrë fitore. O Judë dhe ti, o Jerusalem, mos kini frikë e mos u tmerroni. Shkoni nesër për t'u ndeshur me ta e Zoti do të jetë me ju”».
18Atëherë Joshafati u përkul deri në tokë e mbarë populli i Judës e i Jerusalemit ranë përmbys para Zotit dhe e adhuruan. 19Levitët, që ishin nga familjet e kohatitëve dhe të korahitëve, u ngritën për të përlëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit, me zë të lartë.
20Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoasë. Teksa po niseshin, Joshafati u ndal e u tha: «Dëgjomëni, o banorë të Judës dhe të Jerusalemit! Kini besim te Zoti, Perëndia juaj, e do të dilni të fortë. Kini besim te profetët e tij e do të dilni fitimtarë!». 21Joshafati u këshillua me popullin dhe i vuri këngëtarët e Zotit, që ishin veshur me stoli të shenjtëruara#20.21 të tjerë: ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, të ecnin përpara ushtrisë, duke kënduar: «Përlëvdojeni Zotin, se mirësia e tij mbetet përjetë».
22Kur filluan të këndojnë himne përlëvdimi, Zoti ngriti prita kundër amonitëve, moabitëve e malësorëve të Seirit, që kishin ardhur për të sulmuar Judën, e ata u mposhtën. 23Atëherë amonitët dhe moabitët u hodhën në sulm kundër malësorëve të Seirit për t'i shkatërruar e për t'i shfarosur krejt. Pasi shfarosën malësorët e Seirit, ata iu vërsulën njëri-tjetrit e u vranë.
24Kur luftëtarët e Judës shkuan në kullën e vrojtimit të shkretëtirës për të vëzhguar hordhitë e armiqve, panë gjithkund kufoma të shtrira përtokë. Asnjë nuk kishte shpëtuar. 25Joshafati e mbarë populli shkuan për të marrë plaçkën e luftës dhe gjetën mes kufomave aq shumë pasuri, veshje e sende me vlerë, saqë nuk mund t'i mbanin dot. Për tri ditë me radhë mblidhnin plaçka lufte. Aq shumë kishte. 26Ditën e katërt u mblodhën në luginën e Berakahut dhe atje bekuan Zotin. Prandaj ai vend quhet lugina e Bekimit edhe sot e kësaj dite. 27Mandej të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, me Joshafatin në krye, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Këtë gëzim të madh ua kishte dhënë Zoti, duke i bërë të ngadhënjenin mbi armiqtë. 28Ata shkuan në Jerusalem dhe hynë në tempullin e Zotit me harpa, me qeste e me trumbeta. 29Frika e Perëndisë i pushtoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur dëgjuan se vetë Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. 30Kështu, mbretërimi i Joshafatit ishte i qetë, sepse Perëndia i tij i kishte dhënë paqe nga të gjitha anët.
31Joshafati u bë mbreti i Judës kur ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ai mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jerusalem. E ëma e Joshafatit ishte bija e Shilhiut dhe quhej Azuba. 32Joshafati u soll si i ati, Asai, pa u shmangur, dhe bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit. 33Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli nuk u kthye me gjithë zemër drejt Zotit, Perëndisë së etërve të vet.
34Bëmat e tjera të Joshafatit, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në historinë e Jehut, birit të Hananiut, që gjendet në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.
Fundi i mbretërimit të Joshafatit
35Pas këtyre ngjarjeve, Joshafati, mbreti i Judës, lidhi marrëveshje me Ahaziahun, mbretin e Izraelit, i cili vepronte me paudhësi. 36Sipas marrëveshjes që bënë, ata do të ndërtonin anije për të lundruar në Tarshish. Anijet i ndërtuan në Ecjon Geber. 37Por Eliezeri, biri i Dodavahut nga Mareshahu, profetizoi kundër Joshafatit e tha: «Meqenëse ke lidhur marrëveshje me Ahaziahun, Zoti do t'i shkatërrojë veprat e tua». Kështu, anijet u shkatërruan e ata nuk shkuan dot në Tarshish.
Aktualisht i përzgjedhur:
2 Kronikave 20: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020