1 Timoteut 2
2
Mësime për lutjen
1Para së gjithash, të bëj thirrje që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit, 2për mbretërit dhe për të gjithë ata që kanë pushtet, që të mund të bëjmë një jetë me paqe e qetësi, plot përkushtim ndaj Perëndisë dhe dinjitet. 3Kjo gjë është e mirë dhe e pranueshme para Perëndisë, shpëtimtarit tonë. 4Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen e të arrijnë ta njohin të vërtetën plotësisht,
5sepse një është Perëndia
dhe një është ndërmjetësi
mes Perëndisë e njerëzve:
njeriu Jezu Krisht.
6Ai e dha veten
si shpengim për të gjithë
dhe këtë dëshmi
e dha në kohën e duhur.
7Për këtë u caktova predikues e apostull, për t'u mësuar kombeve besimin dhe të vërtetën. Po them të vërtetën, nuk gënjej.
8Prandaj dëshiroj që burrat në çdo vend të luten duke ngritur lart duar të shenjta, pa mëri e pa grindje. 9Po ashtu gratë të vishen me rroba të hijshme, me thjeshtësi e maturi, jo me gërsheta e ar, as me margaritarë e rroba të kushtueshme, 10por me vepra të mira, siç u ka hije grave që i druhen Perëndisë. 11Gruaja le të mësojë në heshtje e me nënshtrim të plotë. 12Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët dhe as të ushtrojë pushtet mbi burrin, por të rrijë urtë. 13Sepse Adami u krijua i pari, pastaj Eva. 14Nuk ishte Adami ai që u mashtrua, por gruaja u mashtrua dhe shkeli urdhrin e Perëndisë. 15Gruaja do të shpëtohet përmes lindjes së fëmijëve, nëse qëndron në besim, në dashuri dhe në shenjtëri me maturi.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Timoteut 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020