Samueli u plak e i caktoi bijtë e vet gjyqtarë të Izraelit. Djali i madh quhej Joel, ndërsa i vogli Abijah. Ata ishin gjyqtarë në Bershebë. Por bijtë e tij nuk ecnin në gjurmët e të atit. Ata ishin të dhënë pas përfitimit e mitëmarrjes dhe shtrembëronin të drejtën. Atëherë tërë pleqësia e Izraelit u mblodh, shkoi te Samueli në Ramah e i thanë: «Ja, ti u plake e bijtë e tu nuk ecin në gjurmët e tua, prandaj na cakto tani një mbret që të na gjykojë, siç bëjnë gjithë kombet». Kërkesa për mbret nuk i pëlqeu Samuelit, prandaj iu lut ZOTIT, por ZOTI i tha Samuelit: «Dëgjoje zërin e popullit për gjithçka që thotë, se nuk po të përbuzin ty, por mua, që të mos mbretëroj më unë mbi ta». Po sillen me ty siç kanë bërë me mua që nga dita kur i nxora nga Egjipti e deri më sot. Më braktisin që t'u shërbejnë perëndive të tjerë. Prandaj dëgjojua fjalën, por paralajmëroi mirë e tregoju për të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta. Samueli ia tregoi të gjitha fjalët e ZOTIT popullit që po i kërkonte mbret. Ai u tha: «Këto janë të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ju: do t'i marrë bijtë tuaj për t'i bërë kalorës, për t'i vendosur nëpër karroca e për të vrapuar para karrocave të veta. Do t'i vendosë për të drejtuar njësitë e veta prej një mijë apo pesëdhjetë ushtarësh, për të lëvruar tokën e vet, për të korrur të mbjellat e veta, për të përgatitur armë për luftrat e veta apo mjete për karrocat e veta. Do t'i marrë edhe bijat tuaja për t'i bërë punuese vajrash erëmirë, gjellëbërëse apo bukëpjekëse. Do të marrë arat, vreshtat e ullishtat tuaja më të mira për t'ua dhënë oborrtarëve të vet. Do t'ju marrë të dhjetën prej të mbjellave e vreshtave, për t'ua dhënë zyrtarëve e oborrtarëve të vet. Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret e djelmoshat tuaj më të mirë, si dhe gomarët tuaj për punën e vet. Do t'ju marrë të dhjetën prej dhenve e ju do të bëheni shërbëtorët e tij. Atë ditë do të thërrisni për ndihmë, për shkak të mbretit që zgjodhët për vete, por ZOTI nuk do t'ju përgjigjet». Populli nuk deshi t'ia dëgjonte fjalën Samuelit e u përgjigj: «Jo, duam mbret. Duam që edhe ne të jemi si gjithë kombet e tjera. E duam mbretin që të na gjykojë, të na prijë e të luftojë për ne». Atëherë Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi ZOTIT. Dhe ZOTI i tha: «Dëgjoje zërin e popullit. Zgjidh një mbret për ta». Atëherë Samueli u tha izraelitëve: «Secili të kthehet në qytetin e vet».
Lexo 1 Samuelit 8
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Samuelit 8:1-22
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video