Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 6:1-13

1 Samuelit 6:1-13 AL1

Arka e ZOTIT ndodhej në krahinën e filistinëve prej shtatë muajsh. Filistinët thirrën priftërinjtë e shortarët e u thanë: «Çfarë të bëjmë me arkën e ZOTIT? Na tregoni si ta dërgojmë në vendin e vet?». Ata u përgjigjën: «Nëse e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e dërgoni duarzbrazur, por me fli faji. Atëherë do të shëroheni e do ta dini përse dora e tij po ju shtypte». Ata thanë: «Çfarë t'i çojmë si fli faji?». Ata u përgjigjën: «Pesë lytha të artë e pesë minj të artë për çdo prijës filistin, se me këto u goditët ju të gjithë e prijësit tuaj. Bëni shëmbëlltyra lythash e minjsh që shkretuan tokën. Kështu do t'i jepni lavdi Perëndisë së Izraelit e ndoshta ai do ta lehtësojë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë e tokat tuaja. Përse i ngurtësoni zemrat më kot, siç i ngurtësoi Egjipti e faraoni? A nuk i lanë ata izraelitët të shkojnë, pasi ZOTI u soll ashpër me ta? Prandaj bëni një qerre të re, merrni dy lopë qumështore që nuk janë vënë kurrë në zgjedhë e mbrehini në qerre, ndërsa viçat e tyre mbajini në stallë. Merreni pastaj arkën e ZOTIT dhe vendoseni mbi qerre bashkë me sendet e arta që do t'i sillni si fli faji. Ato vendosini në një kuti përbri. Niseni qerren për udhë. Nëse vini re se ngjitet udhës për Bet Shemesh, atëherë paska qenë Perëndia ai që na ka goditur me këtë fatkeqësi të madhe. Nëse jo, dijeni se nuk ishte dora e tij, por ishte rastësi». Kështu vepruan. Morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre, ndërsa viçat e tyre i mbajtën në stallë. E vendosën arkën e ZOTIT në qerre bashkë me kutinë, me minjtë e artë e me shëmbëlltyrat e lythave të tyre. Lopët filluan të ecnin drejt udhës për në Bet Shemesh. Ecnin drejt duke pëllitur e nuk shmangeshin as majtas, as djathtas, dhe prijësit e filistinëve i ndiqnin pas derisa mbërritën në kufi të Bet Shemeshit. Ndërkohë në Bet Shemesh korrësit po korrnin grurin nëpër luginë. Kur ngritën sytë e panë arkën, u gëzuan.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë